Thursday, 1 October 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Akuzat për fyerje dhe shpifje nga Adriatik Lapaj, Gjykata e Apelit i jep të drejtë Agron Shehajt

Akuzat për fyerje dhe shpifje nga Adriatik Lapaj, Gjykata e Apelit i jep të drejtë Agron Shehajt

Gjykata e Posaçme e Apelit ka ndryshuar pjesërisht vendimin e Shkallës së Parë në çështjen gjyqësore mes kryetarit të Partisë Mundësia, Agron Shehaj, dhe kreut të “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj.

Me vendimin e datës 1 tetor 2026, Apeli i GJKKO-së e ka shpallur Shehajn të pafajshëm edhe për veprën penale të “Fyerjes”, duke rrëzuar dënimin me 300 mijë lekë gjobë që ishte dhënë nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë.

Ndërkohë, Apeli ka lënë në fuqi edhe vendimin e Shkallës së Parë për pafajësinë e Shehajt për veprën penale të “Shpifjes”.

Çështja gjyqësore kishte nisur pas kallëzimit të paraqitur nga Adriatik Lapaj më 1 prill 2025, lidhur me disa deklarata publike të bëra nga Shehaj. Lapaj e kishte akuzuar atë për “Fyerje” dhe “Shpifje”.

Në vendimin e dhënë më 21 janar 2026, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë e kishte shpallur Shehajn të pafajshëm për shpifjen, ndërsa për fyerjen e kishte gjetur fajtor dhe e kishte dënuar me 300 mijë lekë gjobë.

Në qendër të konfliktit gjyqësor ishin deklaratat e Shehajt lidhur me marrëdhëniet profesionale të Lapajt me kompaninë “Merkaj 3 sh.p.k.”. Shehaj kishte deklaruar publikisht se Lapaj kishte përfituar pagesa nga kjo kompani, e cila ishte sekuestruar nga SPAK në kuadër të një hetimi.

Lapaj i kishte mohuar pretendimet, duke deklaruar se nuk kishte marrë pagesat për të cilat akuzohej dhe se shumat e përmendura lidheshin me detyrime për shërbime ligjore të kryera prej tij si avokat.

Me vendimin e sotëm të Apelit, dënimi prej 300 mijë lekësh për fyerje është rrëzuar, ndërsa është konfirmuar pafajësia për shpifje.

Lini një koment