Iljazaj: Publikimi i pamjeve intime, kërcënim për privatësinë e të gjithëve
Analisti Elvis Iljazaj gjatë diskutimit në “Now”, ngriti shqetësimin mbi publikimin e pamjeve intime në publik të kompozitorit të njohur Adrian Hila, duke e cilësuar këtë fenomen si një kërcënim serioz për të gjithë shoqërinë dhe një cenim të drejtpërdrejtë të privatësisë.
Sipas Iljazajt, shqetësimi publik duhet të përqendrohet te fyerja e privatësisë dhe dalja e pamjeve intime, dhe jo te jetët personale apo marrëdhëniet private të individëve.
“Pra këtu ne duhet të skandalizoheshim jo për ato marrëdhëniet seksuale siç u skandalizua dynjaja. Duhet të skandalizoheshim pse ato dolën në publik. Pse? Sepse ajo është një kërcënim masiv për të gjithë. Me zhvillimin teknologjik që po ndodh është një kërcënim për të gjithë. Çfarë më duhet mua se kush bën seks me këtë? As nuk më intereson fare”.
Iljazaj bëri thirrje që raste të tilla të shërbejnë si pikë kthese për diskutime ligjore, me qëllim ashpërsimin e dënimeve për shkeljen e privatësisë. Ai ngriti alarmin se zhvillimi i teknologjisë dhe i inteligjencës artificiale po i bën këto kërcënime edhe më masive.
“Kjo ndodh edhe në Shqipëri, këtu po vjen inteligjenca artificiale. Le ta marrim këtë rast të na shërbejë si një diskutim shoqëror në kuptimin si ta zgjidhim, si ta mbrojmë privatësinë dhe jo si ta nxjerrim në pazar privatësinë. Kjo është ideja. Mirëpo fatkeqësisht ndodh e kundërta.
Kështu që le t’i lëmë atyre në privatësinë e tyre se boll halle kanë tani me familjarët e tyre, me fëmijët e ku di unë se çfarë. Mos të merremi më me komente, le të merremi se si të mbrojmë njerëzit nga publikime të tilla dhe si të mbrojmë privatësinë e gjithsecilit. Duhet të na shërbejë ky rast për të diskutuar për ligje, për paketa se si të mbrojmë. Akoma nuk kemi asnjë disiplinim juridik për inteligjencën artificiale, as akoma nuk e kemi përkufizuar”, tha Iljazaj.
Sipas analistit, raste të tilla janë të orkestruara dhe krijojnë pasiguri te të gjithë qytetarët, duke sjellë dhe reagime apo thashetheme dëmtuese
“Arsyeja tjetër kam përshtypjen që është një gjë e orkestruar. Në fund është një kërcënim për të gjithë kjo gjë. Gjithsecili ose shumica prej nesh mund të ketë hyrë diku, mund të ketë dalë diku, mund të ketë bërë diku, mund të jetë takuar me dikë, dhe kjo ka krijuar dhe një klimë frike. Pra duhet ta marrim seriozisht këtë histori”, përfundoi Elvis Iljazaj.