Arrestohet një person në Pejë për fajde dhe detyrim, policia i sekuestron armë e municion
Një person është arrestuar në Pejë nën dyshimin se në vazhdimësi ka kryer veprat penale “Fajdeja” dhe “Detyrimi”, siç njofton “Betimi për Drejtësi” duke u mbështetur në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës.
Sipas raportit policor, rasti lidhet me periudhën 2025–2026. Gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit, mashkull kosovar, zyrtarët policorë kanë gjetur dhe sekuestruar dy pistoleta, dy pushkë të gjata dhe municion të kalibrave të ndryshëm, raporton edhe Indeksonline.
Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rastit po vazhdojnë.
Policia nuk ka bërë të ditura detaje të tjera për identitetin e të arrestuarit apo për viktimat e dyshuara të fajdesë. I dyshuari konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.