Friday, 23 October 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›​Kryetarja e Supremes së Holandës flet për aktgjykimin e Speciales: Të shfrytëzohen mundësitë ligjore

​Kryetarja e Supremes së Holandës flet për aktgjykimin e Speciales: Të shfrytëzohen mundësitë ligjore

Kryetarja e Gjykatës Supreme të Holandës, Dineke de Groot, ka deklaruar se vendimi i Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duhet të trajtohet përmes mekanizmave që ofron sistemi ligjor.

De Groot ka thënë për KosovaPress se është në dijeni të aktgjykimit dhe ndikimit që ai ka shkaktuar në Kosovë.

Megjithatë, ajo ka theksuar se nuk i takon të komentojë përmbajtjen e vendimit gjyqësor.

“Mësova për të dhe e di se si po ndikon këtu në Kosovë. Besoj se ju të gjithë së bashku do të mund të reflektoni në një mënyrë që i shërben sundimit të ligjit. Brenda sistemit ka shumë mundësi për të reflektuar mbi këtë vendim dhe është e rëndësishme që kjo të bëhet”, deklaron De Groot.

Kryetarja e Supremes së Holandës ka nënvizuar rëndësinë e shfrytëzimit të mundësive ligjore në rastet kur një vendim gjyqësor konsiderohet i padrejtë.

Sipas saj, kundërshtimet ndaj vendimeve gjyqësore duhet të shprehen dhe të trajtohen brenda kornizës së sistemit të drejtësisë.

“Nuk më takon mua të komentoj mbi gjykimin, por është e rëndësishme të theksohet se, sa herë që dikush mendon se një vendim nuk është i drejtë, është e rëndësishme që kjo të thuhet në shtetin tuaj dhe të shfrytëzohen mundësitë që ofron sistemi ligjor”, thotë De Groot.

Më 16 shtatorit 2026, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë shpallën fajtorë për krime lufte katër ish-udhëheqësit e UÇK-së.

Sipas vendimit të shkallës së parë, ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, u dënuan me nga 25 vjet burgim.

Ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, u dënua me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet burgim.

Trupi gjykues i shpalli fajtorë për ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Në të njëjtën kohë, katër të akuzuarit u shpallën të pafajshëm për krime kundër njerëzimit, pasi trupi gjykues konstatoi se Prokuroria nuk kishte arritur të provonte përtej dyshimit të arsyeshëm ekzistencën e një sulmi të gjerë ose sistematik kundër popullsisë civile.

Aktgjykimi nuk është i formës së prerë dhe mund t’i nënshtrohet shqyrtimit në procedurën e apelit.

Ish-krerët e UÇK-së i kanë mohuar akuzat gjatë procesit gjyqësor, ndërsa ekipet e tyre mbrojtëse kanë kundërshtuar konstatimet e trupit gjykues. /Kp/

Lini një koment