PARIS – Macron takohet me nxënësit, ndërsa Franca përgatitet për protesta të reja në fundjavë
PARIS, 23 tetor /ATSH-AFP/- Presidenti francez, Emmanuel Macron pritet të takohet sot për herë të parë me nxënësit, përpara protestave të reja kundër rritjes së kostos së jetesës dhe përkeqësimit të kushteve në shkolla.
Pallati Élysée, selia e presidencës franceze, bëri të ditur se Macron do të presë nxënësit e shkollave të mesme dhe përfaqësues të organizatave studentore, për të dëgjuar kërkesat dhe shqetësimet e tyre.
Ndërkohë, në një përpjekje për t’iu përgjigjur pakënaqësive të protestuesve, qeveria po shqyrton mundësinë e rritjes më herët të pagës minimale, sipas gazetës franceze “Les Échos”.
Rritja, e cila do të ishte rreth 15 euro në muaj, mund të hyjë në fuqi së shpejti, në vend që të zbatohet në janar, siç ishte parashikuar më parë.
Nxënësit dhe studentët kanë protestuar prej disa javësh, duke kërkuar më shumë mësues zëvendësues për të mbuluar mungesat e mësuesve të rregullt, ambiente më të mira shkollore dhe orare mësimore më pak të ngarkuara.
Deri tani, Macron nuk është takuar personalisht me nxënësit apo përfaqësuesit e organizatave të tyre.
Kryeministri Sébastien Lecornu pritet të zhvillojë të hënën takimin e tij të parë me përfaqësues të organizatave të nxënësve dhe studentëve të universiteteve.
Protesta të reja të shtunën
Protestat e nxënësve dhe studentëve u zgjeruan të shtunën e kaluar, duke u kthyer në demonstrata më të gjera kundër rënies së fuqisë blerëse.
Gjatë protestave në Paris dhe qytete të tjera pati përplasje të dhunshme dhe trazira, si dhe dëmtime të pronës.
Përpara demonstratave të tjera të planifikuara këtë të shtunë, qeveria ka vendosur një sërë kufizimesh për të parandaluar përsëritjen e dhunës.
Ministria e Brendshme njoftoi se do të shtojë numrin e policëve në terren dhe do të angazhojë njësi të posaçme për të ruajtur rendin publik. /