VJENË – Austria dëbon katër diplomatë rusë për arsye sigurie
– Austria ka vendosur të dëbojë katër diplomatë rusë, pas informacioneve të mbledhura nga autoritetet e sigurisë së vendit, njoftoi sot Ministria e Jashtme austriake.
Sipas ministrisë, tre anëtarë të ambasadës ruse në Austri, kanë kryer veprimtari të papajtueshme me statusin e tyre diplomatik.
Diplomati i katërt ishte pjesë e delegacionit rus në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe ishte përgjegjës për çështjet e sigurisë ushtarake dhe kontrollin e armëve.
Edhe ai dyshohet se kishte kryer veprimtari të ngjashme, ndaj është shpallur i padëshiruar në Austri.
Media austriake “Profil” raportoi se persona të dyshuar si agjentë rusë ishin përpjekur të kontaktonin punonjës të Forcave të Armatosura të Austrisë.
Sipas medias, Ministria austriake e Mbrojtjes i kishte paralajmëruar punonjësit ushtarakë për këtë çështje rreth dy muaj më parë.
Më pas, ministria kishte marrë informacione të tjera, të cilat çuan në vendimin për dëbimin e katër diplomatëve rusë, raportoi “Profil”. /