Plagosi me drapër babanë e ish-partneres, Gjykata e Fierit lë në burg 52-vjeçarin!
Gjykata e Fierit ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për 52-vjeçarin Bledar Bakaj, i përfolur edhe si daja i deputetes Zegjine Çaushaj, i dyshuar për plagosjen e rëndë me dashje të 67-vjeçarit Enver Grëmi dhe për veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës.
Vendimi është marrë këtë të hënë nga gjyqtarja Bora Shaholli, pas kërkesës së Prokurorisë së Fierit për caktimin e masës së sigurisë më të rëndë, informon TCH.
Ngjarja që çoi në arrestimin e 52-vjeçarit u regjistrua në fshatin Suk të Roskovecit, ku ai dyshohet se tentoi të merrte sërish me forcë vajzën 34-vjeçare të familjes Grëmi. Përballja me të atin e saj përfundoi në konflikt fizik, ku 67-vjeçari mbeti i plagosur pasi u godit me një mjet prerës, drapër, në këmbë.
Por pas kësaj ngjarjeje fshihet një histori edhe më e rëndë, e rrëfyer nga vetë babai i vajzës. Sipas tij, gjithçka kishte nisur disa muaj më parë, kur Bledar Bakaj i ishte afruar familjes me premtimin se do ta ndihmonte për të gjetur një vend pune për vajzën e tyre, e cila vuante nga anemia dhe kishte probleme shëndetësore.
Më 26 maj, babë e bijë shkuan në Spitalin Rajonal të Fierit për një vizitë mjekësore. Sipas pretendimeve të 67-vjeçarit, pas daljes nga spitali, Bakaj e mori vajzën dhe e largoi me vete, duke i thënë të atit se do ta dërgonin me ambulancë drejt Tiranës. Për 45 ditë, familja nuk pati asnjë kontakt me 34-vjeçaren.
Pas rikthimit në banesë, vajza u ka treguar prindërve se ishte mbajtur kundër dëshirës së saj dhe ishte dhunuar seksualisht. Më pas ajo kishte kërkuar edhe urdhër mbrojtjeje në polici.
Megjithatë, sipas dëshmisë së babait, një natë më parë 52-vjeçari është rikthyer në banesën e tyre në Suk, duke tentuar ta marrë sërish vajzën. Kundërshtimi i të atit solli përplasjen që përfundoi me plagosjen e tij.
Ndërkohë, Prokuroria e Fierit po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave, ndërsa Gjykata ka vendosur që Bledar Bakaj të qëndrojë në burg deri më 17 dhjetor 2026, në kuadër të masës së sigurisë së caktuar.