“Më 2011 më larguan”- “Partizani”, ish-Gjenerali dëshmon në GJKKO për përplasjen me ish-ministrin e Mbrojtjes: Më
Ish-gjenerali Vladimir Qiriazi, dëshmoi në Gjykatën e Posaçme përplasjen me ish-ministrin e Mbrojtjes, Gazmend Oketa, gjatë procesit të privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
Qiriazi tha se mbante postin e komandantit të Mbështetjes Logjistike, kur i kërkohej me ngulm të firmoste shitjen e Sport Klub Partizanit.
“Ministri më tha se ia kërkonin edhe atij, por nuk e di kush ia kërkonte, tha Qiriazi, informon A2.
Ish-gjenerali tregoi se kishte kundërshtuar në vijimësi, pasi nuk mund të firmoste për një pronë, të cilën dikasteri që drejtonte nuk e kishte në zotërim.
Dëshmia e plotë e Vladimir Qiriazit:
“Në 2008-2009 kam qenë komandant i Mbështetjes Logjistike.
Kur e kam marrë detyrën, nuk ka qenë situatë e mirë. Ishim pas Gërdecit.
Me urdhrin e Ministrit të Mbrojtjes, Gazmend Oketa, jam njohur në mars 2009, urdhër për shitjen e Sport Klub Partizani.
Urdhërova vartësit të përgatisnin dokumentacionin. Vartësit më thanë se nuk kishim asnjë lidhje me Partizanin.
Informova për këtë shefin e Shtabit të FA dhe ministrin. Pasi i konstatova më vjen një ekip i një drejtorie Anti Korrupsion.
Më kërkon sqarime përse nuk e firmos këtë kontratë shitje. Në diskutim e sipër më kërkuan gjithë dokumentacionin. Ja kam vënë në dispozicion.
Pas kësaj më vjen një raport i kësaj drejtorie. Nuk kishte lidhje me ç’më kërkuan.
Kontaktova me ministrin. I thashë “Pronën s’e kam as në financë, as në kontabilitet. Çfarë të bëj?”.
Më vjen një raport i dytë më pas. Tek raporti i parë sugjerohej edhe masë disiplinore ndaj meje. Unë e dija që nuk mund të më jepnin masë, se isha gjeneral. Ishin të tjera instanca që bënin procedimin disiplinor.
Për raportin e dytë ju thashë “është kopjen e të parit”. Ne nuk kishim asnjë lidhje me atë pronë.
E pashë që situata nuk ishte mirë. Kërkova takim me Komandantin e Përgjithshwm të FA, presidentin Bamir Topi. Qëndrova gati 1 orë e 30 min.
Pasi i prezantova situatën edhe ai më tha “zbato ligjin”. Edhe unë atë bëra.
Jam takuar edhe me Ministrin e Mbrojtjes, Gazmend Oketa, ku më kërkoi të njëjtën gjë.
I thashë “le ta firmosë drejtori juaj i kabinetit”. Ministri më tha “është detyrim për ta firmosur”.
Ju kërkova kohë të merrja në administrim pronën e më pas ta merrte shteti a privati, kujt t’i takonte.
Unë nuk e kam firmosur këtë pronë.
Kur takova ministrin aty ishin 5-6 vetë, drejtori i kabinetit, i pronave e të tjerë.
Edhe sot urdhri më duket alogjik. Unë nuk mund të firmos për një pronë të cilën nuk e zotëroj.
Përfaqësues të Ministrisë së Financave nuk kam takuar asnjëherë.
Për të zbatuar urdhrin delegova kompetencat. Më thanë që s’bënin dot veprim.
Për sipërfaqen e pronës i kërkova drejtorisë së topografisë të më bënin një azhornim. Dilte diku tek 34 mijë m2, 4 mijë ishin hequr.
Në komandën e logjistikës vura re që kishte pasur edhe disa përpjekje të tjera për të njëjtën pronë.
Unë u njoha me situatën vetëm në mars 2009, kur erdhi urdhri.
Ministri më tha vetë ta firmos pasi i kërkohej edhe atij.
Nuk e di se nga kush i kërkohej atij.
Më telefonoi e më tha, duhet firmosur.
Po atë ditë kam takuar komandantin e Përgjithshëm.
Unë kam bërë detyra të rëndësishme për afate kohore të shkurtra. Unë nuk vura arsye të largimit nga Komanda e Logjistikës kontradiktat, por detyrën e re që mora. Nuk akuzoj njeri për ndërprerjen. Mua në transferuan. Detyra e re, nga pikëpamja hierarkike, ishte më e lartë.
Në 2011 u largova me dekret të Presidentit. E quajta të padrejtë e më pas fitova në të gjitha shkallët e gjyqit.
Unë jam liruar me propozim të Shefit të Shtabit, Xhemal Gjunkshi dhe ministri i Mbrojtjes Arben Imami, si dhe me dekret të presidentit Topi”.