FOKUS – Letonia dhe Estonia forcojnë mbrojtjen përgjatë kufirit me Rusinë
Sipas raportimit, deri në fillim të vitit të ardhshëm pritet të përfundojnë punimet në 27 kilometra nga 89 kilometrat e planifikuar gjithsej. Kanalet do të plotësohen me pengesa të tjera, si barriera betoni kundër tankeve, të njohura si “dhëmbët e dragoit”.
“Qëllimi është që armikut t’i nevojiten lloje të ndryshme pajisjesh për të kapërcyer këto pengesa”, deklaroi përfaqësuesi i ushtrisë letoneze, Edgars Briedis.
Ai shpjegoi se për të kapërcyer një kanal antitank, për shembull, do të nevojitej mbushja e tij ose përdorimi i urave të posaçme ushtarake. Ndërsa për heqjen e barrierave prej betoni do të duheshin sisteme të tjera.
Pamjet televizive treguan tri radhë pengesash antitank të vendosura pranë njëra-tjetrës. Secila prej tyre peshon 1,5 tonë dhe ka një lartësi pak më shumë se një metër. Pranë tyre parashikohet të hapet një kanal me thellësi mbi dy metra. Të dyja strukturat do të ndërtohen vetëm pak metra larg gardhit kufitar me Rusinë.
Në Estoni, bunkerët e parë prej betoni pranë qytetit kufitar të Narvës përfunduan në fund të muajit tetor, sipas një raportimi të transmetuesit publik estonez ERR. Këto struktura janë projektuar për të mbrojtur ushtarët nga goditjet e drejtpërdrejta të predhave të artilerisë.
Strehime të tjera janë ndërtuar tashmë në verilindje dhe juglindje të vendit, të pajisura me energji elektrike dhe sisteme komunikimi. Gjithashtu, janë vendosur barriera betoni dhe pengesa antitank.
Përfaqësuesi i ushtrisë estoneze, Ainar Afanasjev, deklaroi se “ne e dimë se nuk do të kemi shumë kohë në rast se armiku kalon kufirin. Gjithashtu, nuk kemi territor që mund t’ia lëmë atij për të fituar kohë. Prandaj po fillojmë pikërisht në kufi dhe po përpiqemi të bëjmë sa më shumë të jetë e mundur në kohë paqeje”.
Deri në fund të vitit 2027, Estonia synon të ndërtojë gjithsej deri në 600 bunkerë në verilindje dhe juglindje të vendit, përgjatë kufirit. Ata do të vendosen nën nivelin e tokës dhe do të kenë hyrje të izoluara.
Sipas raportimit, deri më tani janë përfunduar 28 strehime.
Fortifikimet dhe pengesat fizike janë pjesë e projektit të përbashkët të Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë, të njohur si “Linja e Mbrojtjes Baltike, që synon forcimin e kufijve të tyre lindorë përballë kërcënimeve të mundshme ushtarake.
Të tria qeveritë kanë intensifikuar masat mbrojtëse në përgjigje të luftës së Rusisë kundër Ukrainës, të cilën e konsiderojnë një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e tyre kombëtare. /Ad.Ab./ a.jor.