E hënë, 9 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›FOKUS – Gara për energjinë e përftuar nga IA detyron qendrat e të dhënave të kërkojnë turbina të përdorura dhe motorë avionësh

FOKUS – Gara për energjinë e përftuar nga IA detyron qendrat e të dhënave të kërkojnë turbina të përdorura dhe motorë avionësh

BENGALURU/FRANKFURT/LONDËR, 9 nëntor /ATSH/ – Kompanitë energjetike dhe zhvilluesit që po garojnë për të furnizuar me energji qendrat e të dhënave të inteligjencës artificiale (IA) po kërkojnë në të gjithë botën turbina gazi të përdorura, po rikthejnë në punë pajisje të nxjerra jashtë përdorimit dhe po përshtatin motorë avionësh të çmontuar për prodhimin e energjisë elektrike, sipas Reuters.

Kjo po ndodh për shkak se afatet e dorëzimit të pajisjeve të reja janë shtyrë deri në dekadën e ardhshme.

Pavarësisht skepticizmit në rritje për rreziqet e teknologjisë së IA-së dhe rënies së fundit të aksioneve të lidhura me këtë sektor, kërkesa për energji nga qendrat e të dhënave vazhdon të rritet, duke krijuar pengesa serioze në furnizimin me pajisjet e nevojshme.

Sipas analistëve të kompanisë “Wood Mackenzie”, porositë globale për turbina gazi kanë kaluar 100 gigavat (GW), ndërkohë që kapaciteti vjetor i prodhimit në nivel botëror vlerësohet në vetëm 60–70 GW.

Në SHBA, koha mesatare e pritjes për dorëzimin e një turbine të re ka arritur në gjashtë vjet, ndërsa porositë e reja po planifikohen për periudhën 2030–2031.

Për këtë arsye, kompanitë po orientohen drejt tregut të pajisjeve të përdorura dhe të rikonstruktuara.

Megjithatë, analistët paralajmërojnë se ky treg ka furnizim të kufizuar dhe nuk mund të kompensojë në mënyrë të konsiderueshme mungesën e pajisjeve të reja.

Një shembull i këtij orientimi është kompania amerikane Crusoe, e specializuar në infrastrukturën e inteligjencës artificiale, e cila porositi në prill 13 turbina gazi aeroderivative nga kompania ProEnergy.

Këto pajisje bazohen në motorë avionësh të prodhuar nga GE Aerospace dhe kanë një kapacitet të përbashkët prej 650 megavatësh.

Ato do të përdoren për projektet e qendrave të të dhënave të Crusoe në SHBA.

Ndërkohë, prodhuesit kryesorë të turbinave, Siemens Energy, GE Vernova dhe Mitsubishi Heavy Industries, pranojnë se bumi i inteligjencës artificiale ka rritur porositë përtej kapaciteteve të tyre aktuale të prodhimit.

Përdorimi i turbinave të vjetra dhe motorëve të avionëve të përshtatur për prodhimin e energjisë paraqet edhe sfida teknike.

Pajisjet e rikonstruktuara mund të kenë histori të paqartë mirëmbajtjeje, jetëgjatësi të kufizuar dhe mungesë garancish për shërbime afatgjata.

Gjithashtu, motorët e avionëve duhet të provojnë se janë të përshtatshëm për funksionim të vazhdueshëm si gjeneratorë elektrikë.

Sipas të dhënave të tregut, turbinat e përdorura në gjendje të mirë mund të kushtojnë 1,5–1,7 milionë dollarë për megavat, ndërsa ato të rikonstruktuara rreth 1,3 milionë dollarë.

Në krahasim, turbinat e reja kushtojnë 2–2,5 milionë dollarë për megavat.

Kërkesa e jashtëzakonshme po krijon mundësi edhe për pajisje më të vogla dhe teknologji alternative.

Zhvilluesit po zgjedhin ndonjëherë të instalojnë më shumë se 100 turbina në një qendër të vetme të të dhënave, duke kombinuar modele dhe marka të ndryshme për të siguruar kapacitetin e nevojshëm.

Kompania finlandeze “Wärtsilä” ka regjistruar rreth 3 GW porosi që nga pranvera e vitit të kaluar nga qendrat amerikane të të dhënave për njësi prodhimi të energjisë që përdorin motorë me gaz në vend të turbinave.

Sipas drejtuesve të kompanisë, faktori kryesor që po nxit këtë treg janë afatet e gjata të pritjes për pajisjet e reja.

Sipas vlerësimeve të bankës së investimeve Jefferies, vetëm qendrat e të dhënave në SHBA pritet të kërkojnë afro 17 GW energji gjatë vitit 2026, ndërsa kjo shifër mund të rritet më shumë se trefish deri në vitin 2028.

Kapaciteti global i prodhimit të turbinave parashikohet të arrijë rreth 87 GW në vitin 2028, por do të mbetet nën kërkesën e pritshme prej 129 GW.

Kjo situatë tregon se zhvillimi i shpejtë i inteligjencës artificiale po krijon një sfidë të madhe për industrinë energjetike, duke e shndërruar garën teknologjike në një garë globale për sigurimin e energjisë elektrike. /Ad.Ab./ a.jor.

Lini një koment