E hënë, 9 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›BRUKSEL – BE: Izraeli të garantojë kalimin e sigurt dhe të papenguar të ndihmave në Gaza

BRUKSEL – BE: Izraeli të garantojë kalimin e sigurt dhe të papenguar të ndihmave në Gaza

– Bashkimi Evropian i ka kërkuar Izraelit të garantojë akses të plotë dhe pa pengesa, për ndihmat humanitare në Rripin e Gazës, duke paralajmëruar se përmbytjet dhe përkeqësimi i kushteve atmosferike, me afrimin e dimrit po e rëndojnë më tej krizën humanitare në këtë territor, raportoi “Anadolu”.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Eva Hrncirova, deklaroi gjatë një konference për shtyp në Bruksel se BE-ja ka përsëritur vazhdimisht thirrjet drejtuar qeverisë izraelite, për të lejuar hyrjen e ndihmave humanitare në Gaza.

“Jo të gjitha pikat e kalimit janë të hapura për ndihmat humanitare”, theksoi Hrncirova, duke nënvizuar se kufizimet po e përkeqësojnë një situatë tashmë kritike.

Ajo paralajmëroi se përmbytjet dhe kushtet e vështira atmosferike gjatë dimrit, mund t’i ekspozojnë familjet e zhvendosura ndaj rreziqeve të mëtejshme shëndetësore, përfshirë përhapjen e sëmundjeve dhe shtimin e dëmtuesve.

“Ne bëjmë thirrje për akses të shpejtë, të sigurt dhe pa pengesa në Gaza, në mënyrë që të lehtësojmë vuajtjet e popullsisë atje”, deklaroi zëdhënësja.

Sipas saj, pjesa më e madhe e popullsisë së Gazës, ka nevojë për strehim dhe ndihma të tjera bazë, ndërsa rreth 60% e personave që kanë nevojë për mbështetje ndodhen në kushte kritike.

Situata është përkeqësuar nga një sistem me presion të ulët atmosferik, i shoqëruar me masa ajrore të ftohta dhe reshje të dendura shiu, që ka prekur Rripin e Gazës dhe ka vështirësuar kushtet e jetesës për mijëra palestinezë të zhvendosur.

Shumë familje vazhdojnë të jetojnë në çadra të dëmtuara, pa ngrohje dhe pa mbrojtjen e nevojshme nga shiu dhe i ftohti, ndërsa shkatërrimi i banesave dhe infrastrukturës, ka kufizuar ndjeshëm mundësitë për strehim.

Komisioni Evropian bëri të ditur se që nga fillimi i krizës, në tetor 2023, Bashkimi Evropian ka akorduar rreth 700 milionë euro ndihma humanitare për palestinezët.

Sipas autoriteteve shëndetësore palestineze, që nga tetori 2023, lufta në Gaza ka shkaktuar më shumë se 74 mijë viktima dhe mbi 175 mijë të plagosur.

BE-ja ka përsëritur se garantimi i hyrjes së ndihmave humanitare dhe shpërndarja e tyre në të gjithë territorin, janë thelbësore për të lehtësuar vuajtjet e popullsisë civile, veçanërisht në prag të dimrit. /

Lini një koment