HUNGARI – Arrestohet vëllai i Viktor Orban nën dyshimet për trafikim të qenieve njerëzore
BUDAPEST, 9 nëntor /ATSH-AFP/ – Politika hungareze është përfshirë në një tjetër zhvillim të bujshëm, pasi Aron Orban, vëllai i ish-kryeministrit Viktor Orban, raportohet se është arrestuar nga autoritetet nën dyshimin për trafikim të qenieve njerëzore.
Lajmi u bë publik nga kryeministri aktual i Hungarisë, Peter Magyar, i cili iu referua raportimeve të medieve hungareze, për arrestimin e vëllait të paraardhësit të tij politik.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Magyar bëri të ditur se Zyra Kombëtare për Rikuperimin dhe Mbrojtjen e Pasurive (NVVH) dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (NNI) po vijojnë hetimet për këtë çështje.
Policia hungareze konfirmoi se disa persona janë marrë në paraburgim, gjatë një operacioni të zhvilluar në Budapest dhe në dy qytete të tjera të qarkut Pest. Gjatë aksionit janë kryer edhe kontrolle në banesat e personave nën hetim.
Megjithatë, autoritetet nuk kanë publikuar ende identitetet e të gjithë personave të arrestuar dhe hollësitë e plota të akuzave.
Sipas raportimeve të medias hungareze “Kontroll”, të cituara nga kryeministri Magyar, Arom Orban është përfshirë në hetimin për një rrjet të dyshuar, që ndërmjetësonte në mënyrë të paligjshme, për sigurimin e vizave dhe lejeve të qëndrimit për shtetas të huaj.
Çështja lidhet veçanërisht me shtetas vietnamezë, të cilët dyshohet se janë ndihmuar të sigurojnë viza hungareze dhe, rrjedhimisht, mundësi udhëtimi në zonën Shengen.
Sipas informacioneve të publikuara nga mediet hungareze, kompania e lidhur me Aron Orban, dyshohet se ka përdorur regjistrimin e shtetasve vietnamezë, në një kurs dyditor në Universitetin e Pécsit, si një mënyrë për të lehtësuar procedurat e pajisjes së tyre me viza.
Në këtë skemë dyshohet se janë përdorur edhe lidhje me persona me ndikim në administratën shtetërore, për të përshpejtuar procedurat e pajisjes me dokumente.
Hetimi lidhet gjithashtu, me dyshime për ndërhyrje të paligjshme pranë autoriteteve për sigurimin e lejeve të qëndrimit për punësim.
Sipas të dhënave të publikuara nga autoritetet hungareze, në një çështje të lidhur me rekrutimin e punëtorëve të huaj, katër persona janë marrë në pyetje si të dyshuar, ndërsa dy prej tyre janë arrestuar më herët.
Prokuroria ka bërë të ditur se të dyshuarit kishin premtuar sigurimin e lejeve të qëndrimit për punësim, duke pretenduar se kishin lidhje me zyrtarë të rëndësishëm.
Pas publikimit të lajmit, Viktor Orban reagoi duke e cilësuar arrestimin e raportuar të vëllait të tij, si një përpjekje për ta goditur atë politikisht.
“Objektivi jam unë, vëllai im është vetëm një mjet”, shkroi ish-kryeministri hungarez në rrjetet sociale.
Ai akuzoi qeverinë e re, se po përdor institucionet shtetërore për të eliminuar kundërshtarët politikë, duke e përshkruar situatën, si një përballje politike dhe jo si një proces të mirëfilltë për vendosjen e përgjegjësisë.
Nga ana tjetër, kryeministri Peter Magyar kundërshtoi pretendimet e ish-kryeministrit, duke theksuar se hetimet duhet të vijojnë dhe se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin.
Zhvillimi vjen disa muaj pas ndryshimit të pushtetit në Hungari, ku partia proevropiane TISZA e drejtuar nga Peter Magyar, fitoi zgjedhjet parlamentare të prillit, duke i dhënë fund 16 viteve të qeverisjes së Viktor Orban.
Gjatë fushatës dhe pas marrjes së detyrës, Magyar premtoi hetime për pretendimet për korrupsion dhe abuzim me pushtetin gjatë qeverisjes së paraardhësit të tij.
Që prej ndryshimit të pushtetit, autoritetet kanë ndërmarrë disa hetime ndaj ish-zyrtarëve të lartë të administratës së mëparshme.
Mes personave të arrestuar është edhe ish-guvernatori i Bankës Qendrore të Hungarisë, György Matolcsy. /