E hënë, 9 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›FOKUS – Ukraina godet me dronë rafinerinë e dytë më të madhe të naftës në Rusi

FOKUS – Ukraina godet me dronë rafinerinë e dytë më të madhe të naftës në Rusi

– Ukraina ka goditur me dronë rafinerinë e naftës “Kirishi”, në rajonin e Leningradit, në veriperëndim të Rusisë, duke shkaktuar zjarr në një prej objekteve më të rëndësishme të përpunimit të naftës në vend, sipas “Reuters”.

Guvernatori i rajonit të Leningradit, Aleksandr Drozdenko, konfirmoi se dronët ukrainas goditën zonën industriale të qytetit Kirishi gjatë natës, ndërsa më vonë njoftoi se në rafineri kishte shpërthyer zjarr.

Sipas tij, flakët u vunë nën kontroll nga autoritetet.

Rafineria “Kirishi”, e njohur zyrtarisht si “Kirishinefteorgsintez” (KINEF), konsiderohet e dyta më e madhe në Rusi për nga kapaciteti i përpunimit të naftës.

Ajo ka një kapacitet prej rreth 20 milionë tonësh naftë në vit, ekuivalent me afërsisht 400 mijë fuçi në ditë.

Objekti ndodhet rreth 800 kilometra larg kufirit ukrainas dhe është në pronësi të kompanisë ruse “Surgutneftegas”.

Rafineria furnizon me produkte nafte rajonin veriperëndimor të Rusisë, përfshirë qytetin e Shën Peterburgut.

Sipas guvernatorit Drozdenko, sistemet ruse të mbrojtjes ajrore rrëzuan gjithsej 113 dronë ukrainas gjatë sulmit në rajon.

Nga sulmi pati edhe viktima në zonat e banuara.

Një grua humbi jetën pasi mbetjet e një droni ranë mbi çatinë e një pallati në qytetin Vsevolozhsk.

Ndërkohë, në qytetin Kirishi u raportuan dëme në një apartament, nga i cili u evakuua një familje.

Deri tani nuk ka një vlerësim të plotë të dëmeve në rafineri dhe nuk është konfirmuar nëse përpunimi i naftës është ndërprerë.

Sulmi vjen në kuadër të intensifikimit të goditjeve ukrainase ndaj infrastrukturës energjetike ruse.

Kievi synon të dobësojë kapacitetet e Moskës për prodhimin dhe furnizimin me karburante, si dhe të godasë burimet ekonomike që mbështesin luftën.

Sipas një raportimi të “Reuters”, gjatë dy javëve të fundit, Ukraina ka goditur të paktën tetë rafineri të mëdha ruse, duke shkaktuar shqetësime për furnizimin e brendshëm me benzinë dhe naftë.

Mungesat e karburanteve kanë detyruar autoritetet në disa rajone ruse, të vendosin kufizime të përkohshme në shitjen e tyre.

Në rajonin e Karelisë, për shembull, janë vendosur kufizime për sasinë e benzinës dhe naftës që mund të blejë një klient në pikat e karburantit.

Sulmet ndaj infrastrukturës energjetike, janë intensifikuar pas dështimit të armëpushimit energjetik të ndërmjetësuar nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili synonte ndalimin e goditjeve ndaj objekteve energjetike të të dyja palëve.

Ndërkohë, edhe Rusia ka vijuar sulmet ndaj infrastrukturës energjetike dhe objektivave në Ukrainë.

Një sulm rus ndaj qytetit portual të Odesës vrau sot tre persona dhe plagosi një tjetër, i cili ndodhej në gjendje të rëndë, sipas autoriteteve ukrainase. /

Lini një koment