E hënë, 9 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›“Google” sfidon “Nvidia”-n, prezanton dy procesorë të rinj për inteligjencën artificiale

“Google” sfidon “Nvidia”-n, prezanton dy procesorë të rinj për inteligjencën artificiale

– “Google” ka prezantuar dy sisteme të reja procesorësh për inteligjencën artificiale, duke zgjeruar përpjekjet për të konkurruar me “Nvidia”-n në tregun global të çipave të avancuar për IA-në, raportoi “Reuters”.

Sistemet e reja, të quajtura “TPU 8tx” dhe “TPU 8i Max”, janë versione të specializuara të njësive të përpunimit tensorik (TPU) të gjeneratës së tetë të “Google”.

Ato janë projektuar për të përmbushur nevoja të ndryshme të kompanive dhe institucioneve, që përdorin teknologjinë e inteligjencës artificiale.

“TPU 8tx” synon kryesisht institucionet qeveritare dhe kompanitë, që operojnë në sektorë të rregulluar, ku mbrojtja e të dhënave konfidenciale është thelbësore.

Sistemi përfshin teknologji sigurie të integruar në nivelin e pajisjeve, e cila mbron informacionin dhe parametrat e modeleve të inteligjencës artificiale edhe gjatë përpunimit të tyre.

“Google” deklaroi se “TPU 8tx” mund të ofrojë deri në dyfishin e shpejtësisë së disa operacioneve, krahasuar me paraardhësin “TPU 8t”, me pothuajse asnjë ndikim negativ në performancë nga masat shtesë të sigurisë.

Ndërkohë, “TPU 8i Max” është projektuar për aplikacione të inteligjencës artificiale, që duhet të përpunojnë sasi shumë të mëdha informacioni njëkohësisht, si asistentët e programimit, analizat matematikore, kërkimet shkencore dhe zbulimi i barnave të reja.

Ky sistem bashkon dy procesorë “TPU 8i” në një paketë të vetme, duke dyfishuar fuqinë përpunuese, memorien e integruar dhe kapacitetin e memories me gjerësi të lartë brezi.

Sipas “Google”, këto sisteme të reja janë pjesë e strategjisë, për të zgjeruar përdorimin e procesorëve të saj përtej produkteve të brendshme, si motori i kërkimit, “YouTube” dhe modelet “Gemini”.

Kompania po i ofron gjithnjë e më shumë këta procesorë përmes shërbimeve “Google Cloud”, ndërsa ka nisur t’i furnizojë edhe drejtpërdrejt, disa klientë për instalim në qendrat e tyre të të dhënave.

Zgjerimi i aktivitetit në këtë sektor, vjen në një kohë kur kërkesa për kapacitete kompjuterike të inteligjencës artificiale, po rritet me shpejtësi dhe kompanitë e mëdha teknologjike, po investojnë në zhvillimin e çipave të tyre, për të zvogëluar varësinë nga furnizuesit e jashtëm.

Sipas të dhënave të “Alphabet”, kompania mëmë e “Googl, të ardhurat e “Google Cloud” arritën në 30,71 miliardë dollarë në tremujorin e tretë të vitit, duke u rritur me 103% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Shitjet e sistemeve TPU dhanë një kontribut të rëndësishëm në këto rezultate.

Pas njoftimit, aksionet e “Alphabet” u rritën me më shumë se 3% në orët e para të tregtimit në bursën amerikane.

“Nvidia” vazhdon të jetë një nga aktorët kryesorë në tregun e procesorëve për inteligjencën artificiale, por zgjerimi i teknologjisë së “Google” dhe zhvillimi i çipave të personalizuar nga kompanitë e mëdha teknologjike po shtojnë konkurrencën në këtë industri. /

Lini një koment