SPANJË – E djathta kryeson bindshëm në sondazhe tre javë para zgjedhjeve
– Partia Popullore (PP), e djathtë konservatore në Spanjë, kryeson ndaj socialistëve të kryeministrit Pedro Sánchez, tre javë para zgjedhjeve të përgjithshme të 29 nëntorit, sipas sondazheve të fundit, raportoi “Reuters”.
Megjithatë, për të siguruar shumicën parlamentare, konservatorët do të kenë nevojë për mbështetjen e partisë së ekstremit të djathtë “Vox”.
Sipas një sondazhi të publikuar nga gazeta “El Espanol”, Partia Popullore dhe “Vox” mund të sigurojnë së bashku, rreth 200 vende në parlamentin me 350 anëtarë, ndërsa Partia Socialiste (PSOE) e drejtuar nga Sanchez parashikohet të marrë 108 vende.
Studimi, i realizuar nga kompania “SocioMétrica” me 5 460 të anketuar në internet, tregon gjithashtu një kalim të konsiderueshëm të votuesve nga e majta drejt së djathtës.
Një tjetër sondazh, i realizuar nga kompania “40dB” për gazetën “El País”, tregoi një garë më të ngushtë mes dy forcave kryesore.
Sipas tij, socialistët kanë fituar 1,8 pikë përqindjeje, duke arritur në 29,9% të preferencave të votuesve, ndërsa diferenca me Partinë Popullore është ngushtuar në dy pikë përqindjeje.
Megjithatë, edhe ky sondazh parashikon se partitë e djathta, do të sigurojnë së bashku një shumicë parlamentare.
Ndërkohë, një sondazh i publikuar nga gazeta “El Mundo”, i realizuar nga “Sigma Dos”, parashikon 199 vende për Partinë Popullore dhe “Vox”, kundrejt rreth 105 vendeve për socialistët.
Fushata zyrtare zgjedhore pritet të nisë pas katër ditësh dhe temat kryesore të debatit politik parashikohet të jenë strehimi, emigracioni dhe korrupsioni.
Në qendër të diskutimeve pritet të jetë gjithashtu edhe aksidenti i rëndë hekurudhor i muajit të kaluar, i cili shkaktoi viktima dhe çoi në dorëheqjen e ministrit të Transportit, Oscar Puente.
Një tjetër faktor që mund të ndikojë në rezultatin zgjedhor, është përçarja e partive të së majtës radikale, të cilat muajin e kaluar nuk arritën të bien dakord për krijimin e një liste të përbashkët kandidatësh.
Kjo situatë mund të dobësojë mundësitë e Sanchez, për të qëndruar në pushtet përmes një koalicioni progresist.
Zgjedhjet e 29 nëntorit, pritet të përcaktojnë përbërjen e re të parlamentit spanjoll dhe mundësinë e formimit të qeverisë së ardhshme. /