“Nuk është momenti të kërkojmë luks”, Balaj i gëzohet suksesit jashtë: Na mungonte, kam qenë edhe unë dikur djalë i ri dhe më dhanë një dorë
Nga Panorama Sport
Bekim Balaj ishte autori i golit të vetëm të Vllaznisë, në ndeshjen ndaj Partizanit, por mjaftoi që skuadra të merrte tre pikë në një transfertë të komplikuar.
“Mbi të gjitha, trepikëshi, sigurisht. Ishim në një moment kur na vlejnë shumë pikët dhe ndoshta, duke kërkuar pikët, po lëmë pak pjesën e lojës mënjanë në disa ndeshje. Por, kur pikët bëhen kaq jetike, sigurisht që fokusin e ke t’i marrësh me çdo kusht.
Të them të drejtën, ishte fitorja e dytë radhazi për herë të parë këtë sezon. Vlen që e bëmë në transfertë, na mungonte prej shumë kohësh. Të them të drejtën, pas asaj nisjeje që i bëmë kampionatit, mendoj se gradualisht po marrim formë, po fitojmë besim dhe kjo është më e rëndësishmja.
Objektivi? Kemi ndeshjen e radhës me Laçin. Është herët të flasim dhe pretendojmë shumë. Kemi ndeshjen me Laçin, fokusohemi aty, të mbajmë këtë ritëm dhe të marrim tre pikët në Shkodër.
Duke ditur që përfaqësojmë Vllazninë, thuajse gjithmonë kemi detyrën të nxjerrim dhe evidentojmë lojtarë të rinj, sepse akademia ka prodhuar gjithmonë. Si ata kam dalë edhe unë. Kam qenë dhe unë një ditë djalë i ri, më është dhënë dora, më është dhënë mundësia në ekipin e parë dhe i kuptoj shumë mirë. Mundohemi t’u krijojmë sa më shumë komoditet, larg presionit. Rezultatet nuk na kanë favorizuar shumë që ata të jenë të qetë, por, si në ndeshjen tjetër, Uldedaj na zgjidhi ndeshjen dhe na dha tre pikë me shumë vlerë. Kemi të rinj që po bëjnë mirë. Jemi këtu për t’i mbështetur. Do të rriten më shumë dhe besoj se do ta shpërblejnë edhe ekipin dhe besimin e të gjithëve. Ara ndoshta është pak më i afirmuar, sepse ka luajtur edhe më parë, edhe në sezonin e kaluar dhe ndoshta nuk do ta fusja te të rinjtë. Por po bën mirë, pa dyshim, edhe ai.
Krosimet? Ndoshta edhe zgjedhja e Uldedajt sot ishte e tillë. Ai nuk është si Uldedaj tjetër me të majtën që bëri golin; Simoni është me të djathtën dhe do të shërbente me krosimet. Kjo ishte një nga zgjedhjet që bëri trajneri, ndoshta një nga arsyet që bëri këtë zgjedhje. Por është e vërtetë, nuk është se kam shënuar shumë gola në karrierë, por pjesën më të madhe të golave i kam me krosime nga fundoret, një nga armët e mia më të forta. Ndoshta nuk është momenti të kërkojmë luks, po themi. Jemi të gjithë në shërbim të skuadrës dhe, në një mënyrë apo një tjetër, të japim të gjithë maksimumin për të marrë rezultatet. Kur të kalojë ky moment, do të kërkojmë të përmirësohemi ndeshje pas ndeshjeje dhe të nxjerrim në pah armët e forta të gjithsecilit”, tha Balaj për RTSH pas ndeshjes.