TURQI – Fidan: Samiti Trump-Xi-Putin jashtëzakonisht i rëndësishëm, por nuk duhet krahasuar me Jaltën
STAMBOLL, 22 nëntor /ATSH-AA/ – Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, deklaroi se samiti i parë trepalësh mes liderëve të SHBA-së, Kinës dhe Rusisë ishte jashtëzakonisht i rëndësishëm për të parandaluar përkeqësimin e krizave globale, ndërsa hodhi poshtë krahasimet me Konferencën e Jaltës të pas Luftës së Dytë Botërore.
Duke komentuar takimin trepalësh mes presidentit amerikan Donald Trump, presidentit kinez Xi Jinping dhe presidentit rus Vladimir Putin në Kinë, Fidan e cilësoi të rëndësishëm faktin që liderët e këtyre tri fuqive janë ulur për të diskutuar çështjet ndërkombëtare.
Ai tha se sistemi ndërkombëtar po ndryshon vazhdimisht, ndërsa faktorët ekonomikë, politikë, teknologjikë dhe shoqërorë po marrin forma të reja.
Sipas tij, sistemi hegjemonik i krijuar pas Luftës së Dytë Botërore nuk i përgjigjet më realitetit të sotëm ndërkombëtar.
Fidan tha se administrata e Trumpit po rishikon strategjinë globale të SHBA-së dhe rolin që vendi ka luajtur që nga Lufta e Dytë Botërore, duke përfshirë edhe marrëdhëniet me aleatët.
Ai theksoi se takimi mes tri fuqive është i rëndësishëm edhe nëse nuk sjell zgjidhje të drejtpërdrejta për krizat ekzistuese, pasi mund të parandalojë përshkallëzimin e mëtejshëm të tyre.
“Edhe nëse problemet nuk zgjidhen, është jashtëzakonisht e rëndësishme që këto fuqi, këto vende me armë bërthamore, të takohen, të diskutojnë çështje të caktuara, të negociojnë dhe të shihen sy më sy”, tha Fidan.
Ai shtoi se nuk pret ndonjë nismë shumë të avancuar nga ky takim, ndërsa hodhi poshtë si të ekzagjeruar krahasimin e tij me Konferencën e Jaltës./ a.jor.