E diel, 22 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›MV – Siljanovska-Davkova uron Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe: Uniteti nuk do t’i mohojë, por do t’i respektojë dallimet

MV – Siljanovska-Davkova uron Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe: Uniteti nuk do t’i mohojë, por do t’i respektojë dallimet

SHKUP, 22 nëntor /ATSH-MIA/ – Presidentja maqedonase, Gordana Siljanovska-Davkova u përcolli urime pjesëtarëve të komunitetit shqiptar me rastin e 22 Nëntorit – Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe.

“Të dashur bashkëqytetarë shqiptarë, 22 Nëntori është një datë, rëndësia e së cilës tejkalon simbolikën e një përvjetori historik. Ai është dëshmi e një vizioni dhe ndërgjegjësimi kombëtar për një identitet të veçantë, themeli i të cilit është alfabeti i standardizuar shqip”, thekson presidentja.

Në urimin e saj, ajo thekson se gjuha është shenja themelore e veçantisë kombëtare dhe instrumenti më i fuqishëm për ndërtimin dhe shprehjen e kujtesës kolektive të një populli, trashëgimisë së tij shpirtërore dhe përvojës historike.

“Gjuha shqipe ju ka mundësuar juve, shqiptarëve, të shprehni respektin ndaj paraardhësve, por edhe përgjegjësinë ndaj pasardhësve. Në shoqërinë multikulturore maqedonase dhe sistemin politik demokratik, shqiptarët dhe gjuha shqipe kanë një traditë të gjatë të pranisë në jetën kushtetuese, politike, ekonomike, arsimore, shkencore, kulturore, sportive, mediatike, argëtuese dhe të përditshme”, theksoi ajo.

”Më lejoni që, si presidente e shtetit, të shpreh qëndrimin se detyra jonë e përbashkët është të ndërtojmë një shoqëri në të cilën uniteti nuk do t’i mohojë, por do t’i respektojë dallimet, duke i trajtuar ato si vlera të përhershme shoqërore“, thekson Siljanovska-Davkova.

Ajo shpreh dëshirën që 22 Nëntori të mos jetë vetëm një ditë kujtese, kremtimi dhe krenarie, por edhe një nxitje për arritje të reja arsimore, shkencore dhe kulturore në gjuhën shqipe./ a.jor.

Lini një koment