E martë, 24 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Abissnet Superiore›Nga futbolli në basket, fundjava e artë korçare

Nga futbolli në basket, fundjava e artë korçare

Fundjava që lamë pas ishte thjesht perfekte për sportin korçar. Rezultate të shkëlqyera u regjistruan në futboll, por edhe në sportet me dorë, ku ekipet e Skënderbeut dhuruan paraqitje bindëse dhe siguruan katër fitore në po aq ndeshje. Gjithçka nisi të premten me skuadrën e futbollit, e cila arriti një sukses mjaft të rëndësishëm, duke mposhtur Egnatian, kryesuesen e kampionatit dhe kampionen në fuqi.

Skënderbeu triumfoi me rezultatin 1-0 ndaj rrogozhinasve, në një sfidë të vlefshme për javën e 12-të të Superiores, duke marrë tri pikë me shumë vlerë në garën e kampionatit.

Takimi u vendos që në minutën e dytë, kur mbrojtësi grek Georgios Lagonidis dërgoi topin në rrjetë, duke shënuar golin që rezultoi vendimtar për t’i dhënë fitoren skuadrës së drejtuar nga Julian Ahmataj. E premtja do të sillte një tjetër rezultat pozitiv për sportin korçar, këtë herë në volejbollin e meshkujve. Skënderbeu e nisi me këmbë të mbarë edicionin 2026-2027 të Kupës së Shqipërisë, duke triumfuar pastër, 3-0, në transfertën ndaj Elbasanit.

Skuadra e drejtuar nga Arben Prifti dominoi në pallatin e sportit “Tomorr Sinani”, duke fituar tri setet përkatësisht me shifrat 18-25, 23-25 dhe 20-25. Seria e rezultateve pozitive do të vijonte edhe të shtunën, me radhën e Skënderbeut të basketbollit për meshkuj. Skuadra korçare, e drejtuar nga trajneri Bruno Topi, regjistroi një fitore bindëse ndaj Vllaznisë kryesuese, duke triumfuar me rezultatin 102-81, takim i vlefshëm për javën e shtatë të kampionatit.

Përballja u zhvillua në sallën e Pogradecit, ku bardhekuqtë treguan forcën e tyre përballë një kundërshtari të vështirë, duke u shkaktuar shkodranëve humbjen e parë sezonale. Një sukses me peshë për Skënderbeun, i cili këtë edicion është futur në garë me ambicie të mëdha edhe në basketboll. Kështu, “pokeri” i fitoreve do të kompletohej nga ekipi i volejbollit të femrave, i drejtuar nga trajneri Erjols Haxhillari.

Volejbollistet korçare shkëlqyen në debutimin e tyre sezonal në Kupën e Shqipërisë, duke mposhtur pastër Dinamon me rezultatin 3-0, në takimin e zhvilluar në sallën e “Qytezës së Fëmijëve”. Një ndeshje e dominuar nga fillimi në fund nga Skënderbeu, që fitoi bindshëm të tria setet me shifrat 25-15, 25-18 dhe 25-21. Katër fitore në katër përballje, një fundjavë për t’u mbajtur mend për sportin korçar.

Lini një koment