Kriza në afat të njëjtë, kjo Dinamo është më e dobët se vitin e kaluar
Dinamo duket se po përjeton sërish një periudhë që mund të rezultojë vendimtare për objektivat e saj sezonalë. Rezultatet e javëve të fundit kanë rikthyer në vëmendje një skenar të njohur për skuadrën kryeqytetase, atë të sezonit të kaluar, kur një krizë rezultatesh në fazën përmbyllëse të kampionatit i kushtoi shumë në garën për titullin kampion.
Edhe pse dy periudhat zhvillohen në momente të ndryshme të sezonit, ngjashmëritë në ecurinë e skuadrës janë të dukshme dhe shifrat japin arsye për shqetësim. Nëse një vit më parë Dinamo humbi ritmin pikërisht në momentin kur duhej të bënte hapin vendimtar drejt kreut, këtë sezon sinjalet e para të krizës janë shfaqur që në javët e para të kampionatit. Një skuadër që e kishte nisur me pretendime dhe ambicie të mëdha, tashmë po përballet me vështirësi për të siguruar rezultate pozitive dhe për të gjetur vazhdimësinë e munguar. Paralelizmi mes dy periudhave nuk është thjesht një krahasim statistikor, por një rikthim te një problem që Dinamo duhet ta zgjidhë përpara se të jetë tepër vonë.
SEZONI I SHKUAR
Sezonin e kaluar, periudha e vështirë e Dinamos u shfaq në fazën e tretë të kampionatit, në një moment kur skuadra ishte ende në garë dhe kishte mundësinë të luftonte për objektivin madhor, titullin kampion. Megjithatë, nga java e 27-të deri në javën e 33-të, blutë humbën ndjeshëm ritmin, duke regjistruar një seri rezultatesh që ndikuan drejtpërdrejt në ecurinë e tyre në kampionat. Duke lënë jashtë llogaritjes ndeshjet e Kupës, Dinamo arriti të merrte vetëm një fitore në shtatë takime, përballë Elbasanit, ndërsa regjistroi katër barazime dhe dy humbje. Seria nisi me dy disfata radhazi në shtëpi, fillimisht ndaj Partizanit me rezultatin 0-2 dhe më pas ndaj Teutës, 0-1.
Një nisje që tregonte se skuadra po kalonte një moment të vështirë, ndërsa mungesa e golave dhe e rezultateve pozitive po bëhej gjithnjë e më shqetësuese. Më pas erdhi një barazim pa gola në transfertën ndaj Vllaznisë, përpara se Dinamo të reagonte me një fitore bindëse 4-1 ndaj Elbasanit. Në atë moment mund të dukej se kriza ishte lënë pas, por vazhdimësia mungoi sërish. Barazimi 1-1 ndaj Vllaznisë, një tjetër 1-1 në transfertën me Bylisin dhe barazimi me të njëjtin rezultat ndaj Tiranës e mbyllën këtë seri prej shtatë ndeshjesh. Në total, Dinamo grumbulloi vetëm shtatë pikë nga 21 të mundshme, duke shënuar shtatë gola dhe pësuar tetë.
Një bilanc që për një skuadër me pretendime për titullin ishte larg pritshmërive dhe që e pengoi të ruante ritmin e nevojshëm në garën për kreun. Kjo ishte periudha kur Dinamo nisi të humbiste rrugën drejt titullit kampion. Barazimet e shumta, pikët e lëna në ndeshjet direkte dhe pamundësia për të ndërtuar një seri fitoresh e bënë gjithnjë e më të vështirë ndjekjen e objektivit. Fitorja 1-0 ndaj Vllaznisë në javën e 34-t erdhi pas kësaj periudhe dhe shërbeu si një reagim pas një serie që kishte lënë pasoja të rëndësishme në ecurinë e skuadrës.
SEZONI AKTUAL
Një vit më pas, Dinamo duket se po përballet me të njëjtat probleme, madje në një formë edhe më të theksuar në aspektin e rezultateve. Këtë herë, sinjalet e krizës janë shfaqur më herët, në periudhën nga java e gjashtë deri në javën e 12-të të kampionatit. Në këto shtatë takime, blutë kanë arritur vetëm një fitore, kanë barazuar dy herë dhe kanë pësuar katër humbje, duke grumbulluar vetëm pesë pikë nga 21 të mundshme. Ecuria nisi me humbjen 0-1 në transfertën ndaj Vllaznisë, për të vijuar me një tjetër disfatë në shtëpi, këtë herë 0-2 ndaj Teutës.
Fitorja 2-1 kundër Egnatias krijoi përshtypjen se Dinamo mund të kishte gjetur rrugën e reagimit, por edhe këtë sezon skuadra nuk arriti të ndërtonte vazhdimësi. Barazimi 1-1 në derbin me Tiranën dhe ai 2-2 në transfertën ndaj Vorës u pasuan nga dy humbje të tjera radhazi. Disfata 0-2 përballë Skënderbeut dhe humbja 0-1 në transfertën ndaj Elbasanit e thelluan edhe më shumë situatën, duke e lënë Dinamon me vetëm një fitore në shtatë javë. Në këtë periudhë, skuadra ka shënuar vetëm pesë gola dhe ka pësuar dhjetë, një tregues që evidenton jo vetëm vështirësitë në prodhimin ofensiv, por edhe problemet në repartin defensiv.
Në krahasim me sezonin e kaluar, bilanci aktual është më negativ. Dinamo ka dy pikë më pak, ka pësuar dy humbje më shumë dhe ka një golavarazh më të dobët. Nëse një vit më parë kriza u shfaq në fazën e tretë dhe në një moment vendimtar të garës për titull, këtë sezon ajo po shfaqet që në pjesën e parë të kampionatit. Një situatë që e vendos skuadrën përpara nevojës për të reaguar sa më shpejt, në mënyrë që problemet e javëve të fundit të mos kthehen në një pengesë afatgjatë për objektivat e saj.
TË PËRBASHKËTAT
Ajo që i lidh të dyja periudhat është mbi të gjitha pamundësia e Dinamos për të ruajtur vazhdimësinë e rezultateve. Në të dyja rastet, skuadra ka arritur vetëm një fitore në shtatë ndeshje, duke treguar se e ka të vështirë të dalë nga një cikël negativ. Një fitore e vetme në një seri kaq të gjatë takimesh është pak për një ekip që synon të jetë protagonist dhe të luftojë për objektiva madhorë. Një tjetër element i përbashkët është fakti se as reagimet nuk kanë sjellë kthesën e shumëpritur.
Sezonin e kaluar, fitorja 4-1 ndaj Elbasanit nuk u shoqërua me një seri pozitive, pasi Dinamo regjistroi më pas tre barazime radhazi. Këtë sezon, suksesi 2-1 ndaj Egnatias nuk arriti të ndryshonte trajektoren e rezultateve, pasi pas tij erdhën dy barazime dhe dy humbje. Në të dyja rastet, skuadra ka dhënë shenja reagimi, por nuk ka arritur t’i kthejë ato në një rikthim të qëndrueshëm. Edhe bilanci ofensiv është një tjetër pikë që tërheq vëmendjen. Në shtatë ndeshjet e sezonit të kaluar, Dinamo shënoi shtatë gola, ndërsa këtë sezon ka realizuar vetëm pesë. Në të njëjtën kohë, mbrojtja ka pësuar më shumë, duke kaluar nga tetë gola të pësuar në sezonin e kaluar në dhjetë në kampionatin aktual.
Këto shifra tregojnë një skuadër që po has vështirësi për të gjetur ekuilibrin mes dy reparteve dhe që nuk po arrin të menaxhojë siç duhet momentet e vështira të ndeshjeve. Sigurisht, dy periudhat nuk janë identike. Sezonin e kaluar kriza erdhi në një fazë të avancuar, kur çdo pikë kishte peshë të jashtëzakonshme në garën për titullin, ndërsa këtë sezon Dinamo ka ende kohë për të korrigjuar ecurinë.