E martë, 24 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Abissnet Superiore›Vora zhytet nën presion, thellohet diferenca nga objektivi i madh i klubit

Vora zhytet nën presion, thellohet diferenca nga objektivi i madh i klubit

Vora nuk ka mundur t’ia dalë për të marrë tri pikët nga kjo sfidë, ku do të kishte barazuar me pikë Tiranën dhe Vllazninë, duke ruajtur hapin me gjashtëshen e parë.

Tashmë pozitat e saj janë tronditur ndjeshëm dhe diferenca me vendin e gjashtë është thelluar në tri pikë. E kur mendon se këtë javë do të presë në stadiumin e saj Teutën, ajo futet në një presion psikologjik, pasi pozicionimi i tanishëm kërkon patjetër një trepikësh për të dalë nga kjo situatë. Edhe gjatë fazës së parë, pas tri javëve të para, Vora u fut në një krizë të tillë rezultatesh, por në fund ia doli që të siguronte gjashtëshe.

Ndoshta edhe këtë fazë kjo skuadër do të mund ta kapërcejë me sukses. Pra, pas barazimit me Tiranën, që nuk e gëzoi fare ekipin vorak, mënyra se si luajti dhe kundërshtari i fortë që kishte përballë duhet t’i bëjnë ta pëlqejnë edhe barazimin, pasi çdo pikë në këtë fazë kampionati është e çmuar. E tashmë skuadra do të rinisë që sot përgatitjet për ndeshjen e radhës, duke lënë mënjanë ndeshjen e fundit ndaj Tiranës, pas një analize ku nxori gabimet dhe mangësitë në këtë takim.

E gjithë skuadra tashmë do t’i nënshtrohet përgatitjeve për takimin kundër Teutës, që do ta zhvillojë të shtunën, më 28 nëntor 2026, në orën 13:30, në stadiumin e saj.

Përballjet me Teutën – Vora dhe Teuta janë përballur me njëra-tjetrën 6 herë, nga të cilat 5 herë në Superligë dhe një herë në Kupën e Shqipërisë. 4 përballjet e sezonit të kaluar janë mbyllur krejtësisht në mënyrë të barabartë, ku një ndeshje e ka fituar Vora 1-0 në Durrës dhe një ndeshje e ka fituar Teuta në Vorë 0-1, ndërsa dy takimet e tjera janë mbyllur në barazim me të njëjtin rezultat, 1-1. Ndeshja e fazës së parë gjatë këtij sezoni, e luajtur në Durrës, është fituar nga durrsakët 0-2.

E kësisoj, skuadra vorake, përveçse do të kërkojë me patjetër fitoren, kërkon të barazohet edhe me bilancin. Durrsakët e fituan takimin e fazës së parë me plot polemika, sepse golat u shënuan në ekstremitetet e pjesëve. Golin e parë e shënuan në kohën shtesë, kur në minutën e 45+2 Umejiego shënonte golin e parë, ndërsa në minutën e 90+6 Martelo shënonte golin e dytë. Sigurisht që këtë javë Vora duhet t’i bëjë hesapet mirë, nëse do të realizojë objektivin e saj, që është sigurimi i mbijetesës pa sforco, që do të thotë renditja pas tri fazave në vendin e gjashtë.

Lini një koment