Nga një takim i diasporës në një mbledhje të Partisë Socialiste
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, bëri publike agjendën e detajuar të Samitit IV të Diasporës Shqiptare, i cili do të zhvillohet në datat 13–15 prill në Tiranë.
Sipas deklarimeve zyrtare, samiti me moton “Përmes rrënjëve lartësohemi” synon të forcojë lidhjet me diasporën dhe të shndërrojë potencialin e saj në rezultate konkrete për zhvillimin e vendit, në kuadër të objektivit “Shqipëria 2030”.
Punimet do të zhvillohen kryesisht në ambientet e Pallati i Kongreseve, ku janë planifikuar një sërë panelesh tematike mbi demokracinë, përfaqësimin, zhvillimin ekonomik, inovacionin, shëndetësinë, arsimin dhe kërkimin shkencor.
Megjithatë, përtej formulimeve zyrtare, një element del qartë: e gjithë agjenda e samitit është hartuar nga qeveria dhe reflekton prioritetet e saj politike dhe institucionale. Nuk rezulton të ketë një proces të mirëfilltë konsultimi me diasporën për përmbajtjen e diskutimeve apo për temat që trajtohen në këtë forum.
Po ashtu, edhe pjesëmarrësit nuk janë produkt i një përfaqësimi të zgjedhur nga vetë komunitetet shqiptare jashtë vendit. Ata janë të përzgjedhur dhe të ftuar nga institucionet shtetërore, çka e bën të qartë se samiti nuk është një platformë e pavarur e diasporës, por një aktivitet i organizuar dhe i kontrolluar nga qeveria.
Kjo krijon një situatë ku diaspora ftohet të diskutojë brenda një kornize të përcaktuar paraprakisht, me tema dhe prioritete që nuk burojnë prej saj, por i imponohen nga lart. Në këtë kuptim, samiti më shumë sesa një forum përfaqësimi i diasporës, merr karakterin e një aktiviteti politik me agjendë të njëanshme.
Ndërkohë, në fokus mbetet edhe bashkëpunimi ndërmjet Shqipërisë, Kosovës dhe faktorëve shqiptarë në rajon, si dhe përfshirja e diasporës në proceset zgjedhore dhe institucionale. Por edhe këto çështje trajtohen brenda të njëjtës logjikë: si pjesë e një strategjie të ndërtuar nga qeveria, jo si rezultat i një kërkese të artikuluar nga vetë diaspora.
Samiti pritet të mbledhë personalitete politike, përfaqësues institucionesh dhe individë nga diaspora, por mbetet për t’u parë nëse ky format do të prodhojë një dialog real dhe gjithëpërfshirës, apo do të mbetet një aktivitet formal ku diaspora është më shumë e pranishme fizikisht sesa e përfaqësuar realisht.