Festa e Shën Marenës, pelegrinazh në Llëngë të Pogradecit
Mbrëmjen e 16 korrikut dhe paraditen e datës 17, besimtarët e krishterë ortodoksë, festojnë Shën Marenën.
Çdo vit, në zemër të krahinës së Mokrës në Pogradec, besimtarë nga zona të ndryshme të vendit drejtohen drejt Manastirit të Shën Marenës për të marrë pjesë në një nga pelegrinazhet më të njohura fetare e tradicionale të juglindjes.
Festa e Shën Marenës kremtohet më 17 korrik sipas kalendarit të ri, ndërsa në traditën popullore shpesh lidhet edhe me 30 korrikun sipas kalendarit të vjetër.
Manastiri i Shën Marenës ndodhet pranë fshatit Llëngë, në një zonë të rrethuar nga natyra e bukur e maleve dhe luginave pranë lumit Shkumbin. Kisha, e ngritur në shekullin XVII dhe e rindërtuar më vonë, ruan afreske të Kostandin Shpatarakut
Sipas besimit të krishterë ortodoks, Shën Marena ishte një martire e hershme e krishterimit, e cila sakrifikoi jetën për besimin e saj. Legjendat popullore e lidhin shenjtoren me mrekulli dhe me shërime, duke e kthyer vendin në një pikë pelegrinazhi jo vetëm për besimtarët ortodoksë, por edhe me vizitore te tjerë.
Gjatë pelegrinazhit, besimtarët vizitojnë shpellën e Shën Marenës, ndezin qirinj, luten dhe, sipas traditës, lahen në ujërat e burimit pranë manastirit. Shumë prej tyre qëndrojnë gjatë natës në manastir duke ruajtur një rit të trashëguar ndër breza. Sipas legjendës, gurët e shpellës pranë manastirit e kishës, sjellin mbarësi nëse mbahen në shtëpi. Ndaj historikisht banorët e kësaj treve kanë mbajtur në ambiente familjare gurë të marrë në këtë vend.
Përtej aspektit fetar, festa e Shën Marenës është kthyer në një ngjarje kulturore që bashkon komunitetet, ruan kujtesën historike të zonës dhe sjell në vëmendje një pasuri të rëndësishme të trashëgimisë shpirtërore të Pogradecit.