“Tano Fest” ul siparin, komedia “Gomerët e Trojeve” fiton çmimin e parë
U mbyll mbrëmjen e së shtunës “TANO FEST”, i cili e ktheu Shkodrën në kryeqytetin e humorit shqiptar për një javë rresht.
“Një mbrëmje yjesh në Teatrin “Migjeni”, mes emrave më të mëdhenj të humorit shqiptar. “Tano Fest” mbylli tetë net me të qeshura e duartrokitje, me një publik shkodran që di ta vlerësojë të bukurën”, e vlerësoi kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci.
Ai u shpreh krenar për Shkodrën dhe për trupën e Teatrit “Migjeni”, që me “Gomerët e Trojeve” fitoi çmimin për shfaqjen më të mirë.
“Urime artistëve dhe organizatorëve! Faleminderit publikut që i dha jetë çdo nate dhe i nderoi yjet e skenës mbarëshqiptare me ngrohtësinë që di të japë Shkodra”, tha Beci.
Një festival i veçantë, i pagëzuar në nder të ikonës së humorit shqiptar, Tano Banushi, në prag të 100-vjetorit e lindjes së tij.
Tetë net magjike, tetë shfaqje të ndryshme, plot humor, energji dhe të qeshura pafund.
Këtë vit, festivali erdhi ndryshe, me përmasa madhështore, duke sjellë në Shkodër një festë të vërtetë të artit dhe humorit shqiptar.
Në natën e fundit u shpallën edhe çmimet për fituesit.
Artisti i ri më i mirë i “Tano Fest” u shpall Fritz Aleks Selmani;
Artisti më i mirë u shpall aktori Gentian Zenelaj;
Aktorja më e mirë u shpall Luiza Xhuvani;
Regjia më e mirë i shkoi regjisorit nga Kosova, Ilr Bokshi;
Çmimi i karrierës shkoi për aktorin e mirënonjur shkodran Besnik Çinari;
Çmimin e parë si komedia më e mirë e fitoi trupa e Teatrit “Migjeni” me “Gomerët e Trojeve”.
Festivali Mbarëkombëtar i Humorit “TANO FEST” u mbajt nga 14 deri më 21 nëntor, në skenën e Teatrit “Migjeni”.