Ansambli nga Korça përfaqësoi Shqipërinë në Festivalin e Kulturave të Botës në Francë
Korça u përfaqësua me dinjitet në edicionin e 59-të të Festivalit Ndërkombëtar “Festival des Cultures du Monde” në Chambéry të Francës, një nga festivalet më të rëndësishme të folklorit dhe kulturës, që këtë vit mblodhi grupe artistike nga vende të ndryshme të botës.
Ansambli Artistik “Skënderbeu” paraqiti në zemër të Evropës ngjyrat e kostumeve kombëtare, bukurinë e traditave, muzikës dhe valleve shqiptare, duke promovuar me krenari trashëgiminë kulturore të Korçës dhe Shqipërisë.
Përmes çdo kënge dhe çdo valleje, të rinjtë e ansamblit dëshmuan talent, pasion dhe përkushtim, duke u bërë ambasadorë të denjë të kulturës sonë përpara publikut ndërkombëtar.
Edicioni i 59-të i Festivalit të Kulturave të Botës mbahet në Chambéry, pikërisht aty ku u çel edhe ekspozita “Ikonat e Shqipërisë – Thesare të Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar të Korçës”.
Ky edicion i festivalit mblodhi shtatë ansamble folklorike kombëtare dhe ndërkombëtare, të cilat ndanë me publikun vallet, këngët dhe traditat e tyre popullore.
Ansamblet pjesëmarrëse ishin nga:
Zelanda e Re: Trupa Taumata Whitirea e cila mahniti publikun me këngët tradicionale maori dhe interpretimin mbresëlënës të vallës Haka.
Kosta Rika: Ansambli Mi Linda Costa Rica solli energjinë dhe ngjyrat karakteristike të Amerikës Qendrore.
Shqipëria: Ansambli Artistik “Skënderbeu” prezantoi pasurinë e kulturës shqiptare dhe ballkanike përmes koreografive dinamike dhe kostumeve tradicionale.
Sulawesi (Indonezi): Kolektivi Ida El Bahra Art Management përcolli traditat e arkipelagut indonezian me vallet e tij rituale.
Spanja: Trupa L’Escola di Musica i Danses de Mallorca interpretoi muzikën dhe vallet tradicionale të Ishujve Balearikë.
Polonia: Grupi Żeńcy Wielkopolscy prezantoi traditat polake përmes këngëve polifonike dhe valleve popullore.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës: Formacioni Idaho Express Folk Dance solli një përvojë të folklorit amerikan.