Friday, 17 July 2026
54°F Detroit
BallinaArteMisioni shqiptaro-francez, kërkime në sitin arkeologjik të Sardës, në ishullin e Shurdhahut

Misioni shqiptaro-francez, kërkime në sitin arkeologjik të Sardës, në ishullin e Shurdhahut

Në ishullin e Shurdhahut, në liqenin e Vaut të Dejës, kërkimet arkeologjike në qytetin mesjetar të Sardës po zbulojnë gjurmë të rëndësishme të historisë së tij, përfshirë një sistem fortifikimi me tre unaza mbrojtëse.

Misioni shqiptaro-francez do të vijojë edhe këtë vit gërmimet për dokumentimin e strukturave dhe zbulimin e mëtejshëm të trashëgimisë së këtij qyteti mesjetar.

Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Shkodër, Helidon Sokoli, bëri të ditur për TVSH se, misioni arkeologjik do të rikthehet sërish gjatë verës për të vijuar kërkimet. Sokoli tha se projekti “Lugina e Drinit në Mesjetë” do të vijojë edhe këtë vit kërkimet në sitin arkeologjik të Sardës, në ishullin e Shurdhahut. Misioni shqiptaro-francez, i planifikuar të zhvillohet nga fundi i gushtit deri në mesin e shtatorit, do të përqendrohet në pjesën e sipërme të kodrës së qytetit, ku po dokumentohet një kishë e hershme mesjetare. Sipas Sokolit, synimi është përfundimi i dokumentimit të plotë të saj dhe përcaktimi më i saktë i periudhës së ndërtimit.

Projekti “Lugina e Drinit në Mesjetë” realizohet në bashkëpunim mes institucioneve shqiptare dhe franceze dhe synon të zbulojë më tej historinë e një prej qendrave më të rëndësishme mesjetare në veri të vendit. Përpara gërmimeve, specialistët e DRTK Shkodër kanë kryer edhe pastrimin e zonës nga vegjetacioni për të lehtësuar punën e arkeologëve.

Lini një koment