Midis asimilimit dhe vetë-izolimit
Kur integrimi bëhet harresë dhe ruajtja e identitetit kthehet në një rreth të mbyllur

Shqiptarët në Michigan sot nuk janë më një komunitet në kërkim të mbijetesës. Ata janë një komunitet në kërkim të kuptimit të vetes. Dhe pikërisht këtu fillon problemi. Nuk besoj se kjo ndodh vetëm me shqiptarët, por dilema mbetet. Ajo është: nga njëra anë qëndron integrimi i plotë në jetën amerikane, deri në pikën ku identiteti shqiptar zbehet e më pas zhduket; nga ana tjetër, një prirje për t’u mbyllur brenda një rrethi të ngushtë komunitar, ku gjithçka mbetet “shqiptare”, por në një mënyrë që shpesh e shkëput individin nga realiteti amerikan.
Le ta themi hapur: në Michigan nuk mund të sillemi si emigrantë të përkohshëm të viteve ’20.
Shqiptarë të integruar në jetën amerikane ka me shumicë. Të rinj dhe të vjetër, të punësuar në kompani të ndryshme apo institucione shtetërore. Por në të kundërt, organizimi i komunitetit shqiptar në shumë raste është sikur jetojmë në kohën e Fan Nolit dhe Faik Konicës. Një nostalgji e bukur, por e rrezikshme kur kthehet në model funksionimi. Në atë kohë, shqiptarët nuk kishin shtet. Ishin të detyruar të organizoheshin jashtë për të krijuar një ide kombëtare, për të mbijetuar si identitet politik dhe kulturor.
Sot realiteti është krejt tjetër.
Shqiptarët kanë dy shtete: Shqipërinë dhe Kosovën. Janë faktor shtetformues në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi. Nuk janë më një popull që kërkon njohje, por një komb që duhet të dijë të menaxhojë praninë e tij globale.
Dhe prapë, në Michigan, shoqatat e shumta shqiptare në Michigan sillen sikur jemi ende në fazën e mbledhjes së fondeve për një shtet që nuk ekziston. Apo imitojnë pamfletin “Klubi i Selanikut” të Çajupit, ku diskutojnë dhe përzihen me politikën shqiptare, zihen dhe grinden për to, në klubet e mbushura me tym duhani.
Ky është absurdi.
Në njërin ekstrem kemi familje që brenda një brezi humbasin çdo lidhje me origjinën. Fëmijët nuk flasin shqip, nuk e njohin historinë, nuk kanë asnjë lidhje emocionale reale me identitetin shqiptar. Janë amerikanë të plotë, por me një boshllëk të padukshëm: mungesën e rrënjëve.
Në ekstremin tjetër kemi një vetë-izolim kulturor. Një realitet ku gjithçka rrotullohet rreth komunitetit shqiptar, por pa ndërveprim real me shoqërinë amerikane. Një botë e vogël, e mbyllur, ku flitet për Shqipërinë e viteve ’90, për politika që nuk kanë më ndikim, për nostalgji që nuk prodhon asgjë konkrete.
Asimilimi prodhon harresë. Vetë-izolimi prodhon lëvizje në vendnumëro.
Asnjëri nuk është zgjidhje.
Ndërkohë, realiteti në Michigan po ndryshon – dhe po ndryshon për mirë, aty ku ka vizion.
Shembujt ekzistojnë. Albanian Network dhe Albanian American Chamber of Commerce of Michigan përfaqësojnë një qasje të re: një komunitet që nuk mjaftohet me ruajtjen folklorike të identitetit, por synon integrim real në ekonomi, në profesion, në rrjete ndikimi. Këto janë modele që e shohin shqiptarin jo si të izoluar, por si pjesë aktive të shoqërisë amerikane. Kjo është një qasje e re: lidhjet komunitare duhet të ndihmojnë në fuqizimin e marrëdhënieve tona si amerikanë.
Dhe kjo qasje po jep rezultate konkrete.
Në zgjedhjet e afërta të nëntorit, dy kandidatë me origjinë shqiptare po kërkojnë të ngjiten në nivele të larta të politikës amerikane: Robert Lulgjuraj që synon nominimin nga Partia Republikane për në Kongresin amerikan në Distriktin e 10-të të Michigan-it, dhe Suzana Shkreli që garon nga radhët e Partisë Demokratike për Sekretare Shteti në Michigan.
Këto nuk janë më histori emigrantësh. Janë histori pjesëmarrjeje reale në pushtet.
Këtu duhet të arrijë komuniteti.
Jo duke harruar kush është, por duke e përdorur identitetin si forcë, jo si strehë.
Sepse e vërteta është e thjeshtë dhe e pakëndshme njëkohësisht: nëse vazhdojmë të jetojmë mes nostalgjisë dhe izolimit, do të mbetemi një komunitet që flet shumë për veten, por ndikon pak në realitet.
Ndërsa nëse zgjedhim rrugën e vështirë – integrimin me vetëdije – mund të bëhemi ajo që ende nuk jemi plotësisht: amerikanë që nuk kanë nevojë të heqin dorë nga fakti që janë shqiptarë.
Sfida nuk është të zgjedhim mes dy botëve.
Sfida është të dimë t’i mbajmë të dyja pa humbur asnjërën.