Alimehmeti: Protesta qytetare, një nga ngjarjet më të jashtëzakonshme të dekadave të fundit, duhet të sjellë reflektim edhe në opozitë
Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Ilir Alimehmeti, i ka cilësuar protestat e fundit qytetare si ngjarjet më të rëndësishme të dekadave të fundit, duke theksuar se mesazhi i saj duhet të jetë në qendër të diskutimeve politike edhe në muajt në vijim.
I ftuar në studion e RTSH 24, Alimehmeti tha se bëhet fjalë për një reagim të qartë qytetar, i cili sipas tij ka dhënë një mesazh të fortë si për qeverinë, ashtu edhe për opozitën.
“Mendoj që është ka qenë një nga ngjarjet më të jashtëzakonshme dhe më të bukura që neve kemi pasur prej shumë dekada ndoshta që nga fillimi i kësaj epokës tonë po themi mbas regjimit. Në këtë aspekt mendoj që ajo duhet të jetë kryefjala e gjithçka që diskutohet gjatë këtyre muajve dhe muajve në vazhdim me shumë mundësi. Mendoj që ka qenë një nga reagimet qytetare më të qarta dhe më brilante që kemi pasur në fushën e qytetarisë dhe politikës. Nga ky aspekt patjetër që kjo le një ndikim të thellë”, u shpreh ai.
Por sipas tij, mesazhi i qytetarëve duhet të shërbejë gjithashtu si pikë reflektimi edhe për opozitën dhe veçanërisht për Partinë Demokratike. Sipas tij, brenda Partisë Demokratike ka nisur të shfaqet një proces reflektimi.
“Ndikimin kryesor e ka s’diskutohet tek qeveria, te mënyra e qeverisjes, tek arroganca e pushtetit e me radhë dhe patjetër ka dhe ndikim tek pjesa opozitare në këtë rend. Vë absolutisht në një lloj, si ta themi, në një lloj pozite dhe gjithë pjesën e opozitës. Pra duhet të reagosh ndaj kësaj, duhet të kesh një reflektim mbi këtë që po kërkojnë njerëzit, se në fund fare i duhet opozitës që të reflektojë çfarë kërkojnë njerëzit, mënyrën si e kërkojnë, metodat e tjerë e të tjera. Pastaj sa njerëz përqafojnë një qëndrim të caktuar e sa përqafojnë një qëndrim tjetër, këto në fund fare vendosen gjithmonë në zgjedhje, por që reflektimi duhet të jetë dhe nga opozita, nga Partia Demokratike mund të flas unë. Edhe kjo është tejet e rëndësishme dhe unë mendoj që një farë reflektimi nën rreshta, mbi rreshta, sipërreshta ka ardhur dhe në Partinë Demokratike”, theksoi ai.