Monday, 21 September 2026
54°F Detroit
BallinaLajme nga ShqiperiaAmbasadorja e re e BE-së takon kreun e SPAK: Lufta kundër korrupsionit, kyçe për integrimin europian

Ambasadorja e re e BE-së takon kreun e SPAK: Lufta kundër korrupsionit, kyçe për integrimin europian

Ambasadorja e re e Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, ka zhvilluar takimin e saj të parë me kreun e SPAK, Klodian Braho.

Në fokus të takimit ka qenë puna e SPAK në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ku ambasadorja Moreira de Sousa vlerësoi rëndësinë e punës së Prokurorisë së Posaçme për forcimin e sundimit të ligjit në Shqipëri dhe theksoi mbështetjen e Bashkimit Europian për një institucion të pavarur dhe efektiv.

“Puna e SPAK-ut kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të larta është thelbësore për ruajtjen e sundimit të ligjit në Shqipëri”, u shpreh ajo.

Ambasadorja theksoi gjithashtu se, gjatë takimit me kreun e SPAK, riafirmoi mbështetjen e vazhdueshme dhe të fortë të BE-së për institucionin e drejtësisë.

“Riafirmova mbështetjen e vazhdueshme dhe të fortë të BE-së për një SPAK të pavarur dhe efektiv. Vazhdimi i arritjes së rezultateve konkrete në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është një element kyç i përparimit të Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE”, shkroi Moreira de Sousa.

Takimi vjen në një kohë kur reforma në drejtësi, lufta kundër korrupsionit dhe forcimi i institucioneve të pavarura të drejtësisë mbeten ndër çështjet kryesore në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Lini një koment