ARRSH tender 4.8 mln euro për aksin lidhës të TEDA-s me rrugën dytësore Tiranë – Durrës
Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka hapur procedurën e prokurimit për ndërhyrë në një aks rrugor që do të lidhë Zonën Teknologjike dhe të Zhvillimit Ekonomik (TEDA) me rrugën dytësore të autostradës Tiranë-Durrës, në një projekt me fond limit 480.3 milionë lekë, ose rreth 4.8 milionë euro.
Tenderi ka si objekt projektimin dhe ndërtimin e rrugës lidhëse nga “Çarja e Zaltës”, “Kasem Çaushi”, “Kostandin Kristoforidhi” dhe “17 Nëntori”, nëpërmjet rrugëve “3 Dëshmorët” dhe “Konferenca e Pezës”, drejt rrugës dytësore të segmentit Tiranë-Durrës. Kontrata do të zbatohet me formulën “çelësa në dorë” dhe ka një afat realizimi prej 9 muajsh.
Sipas dokumenteve të tenderit, ndërhyrja synon të krijojë një lidhje të drejtpërdrejtë me zonën TEDA, një nga projektet e zhvillimit industrial të parashikuara në periferi të kryeqytetit, duke përmirësuar aksesin dhe qarkullimin në zonat përreth.
Dokumentacioni teknik përshkruan se një pjesë e infrastrukturës ekzistuese ndodhet në gjendje të amortizuar. Segmenti nga kryqëzimi i rrugës “7 Nëntori” me “Kasem Çaushi” deri te kthesa e “Çarja e Zaltës” ka gjerësi rreth 6 metra, por mungojnë rrjeti i kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të zeza, ndriçimi publik dhe sinjalistika rrugore. Në vijim, rruga ngushtohet deri në 4 metra dhe shtresat asfaltike ndërpriten, ndërsa segmenti drejt zonës së investimit është i paasfaltuar, me çakull dhe gropa. Një tjetër aks lidhës me gjatësi rreth 1 kilometër përshkruhet si rrugë dheu. Gjatësia totale e segmentit që do të ndërtohet është rreth 3.5 kilometra.
Sipas termave të referencës, projekti synon të lehtësojë lëvizjen e trafikut, të krijojë infrastrukturën e nevojshme për hyrjen në zonën TEDA dhe të përmirësojë lidhjet rrugore për zonat e banuara përgjatë këtij korridori.
Afatet orientuese të parashikuara në dokumentacion përfshijnë dy muaj për projektin e zbatimit, një muaj për oponencën teknike dhe gjashtë muaj për ndërtimin e veprës, ndërsa monitorimi dhe garancia për defektet do të zgjasin 24 muaj pas përfundimit të punimeve.