Arsimi dual histori suksesi në Kosovë: OEK nënshkruan marrëveshje mirëkuptimi me 32 shkolla profesionale
Oda Ekonomike e Kosovës ka nënshkruar të mërkurën marrëveshje mirëkuptimi me 32 shkollat profesionale pjesëmarrëse në arsimin dual, duke e vlerësuar këtë model si një storje suksesi që duhet institucionalizuar si urë mes arsimit dhe tregut të punës.
Lajmi u bë me dije në konferencën “Përmbyllja e Arsimit Dual në Kosovë: Arritjet, mësimet e nxjerra dhe hapat e mëtejmë”, ku morën pjesë ambasadorë e përfaqësues institucionesh.
Kryetari i OEK-ut, Lulzim Rafuna, tha se këto marrëveshje nuk janë thjesht dokumente formale, por një urë lidhëse që garanton një mjedis profesional mes sektorit privat dhe atij publik, si dhe një kthesë rrënjësore në përgatitjen e fuqisë punëtore për të ardhmen.
Lah Nitaj nga Ministria e Arsimit tha se deri tani janë diplomuar dy gjenerata në arsimin dual, ndërsa vitin tjetër diplomohet e treta. Ai falënderoi prindërit që kaluan barriera kulturore për ta mbështetur këtë model arsimor.
E gjithë kjo do të ishte e pamundur pa mbështetjen e Gjermanisë dhe Luksemburgut. Ambasadori i Luksemburgut, Eric Dietz, tha se që nga viti 2022 arsimi dual është zgjeruar nga një iniciativë pilot me rreth 100 nxënës në mbi 2,500 nxënës në 32 shkolla profesionale dhe mbi 1,000 ndërmarrje partnere, dhe se gjashtë programe të reja në fusha si TIK, energjia e ripërtëritshme dhe përpunimi i drurit po pajisin të rinjtë me aftësi për sektorët në rritje të ekonomisë së Kosovës.
Burimi: KosovaPress