Saturday, 27 June 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaAsgjësohen mbi 2 mijë bimë kanabisi në fshatrat e Shkodrës, dy të arrestuar, procedohet kryeplaku

Asgjësohen mbi 2 mijë bimë kanabisi në fshatrat e Shkodrës, dy të arrestuar, procedohet kryeplaku

Dy raste të kultivimit të bimëve narkotike në fshatrat Ndrejaj dhe Vukël janë goditur në Shkodër gjatë operacionit të koduar “Territor i Pastër”. Gjatë operacionit u asgjësuan 2 098 bimë dhe fidanë të dyshuar kanabis sativa, ndërsa u arrestuan dy persona dhe u procedua penalisht kryeplaku i një fshati.

Në njësinë administrative Shosh, në fshatin Ndrejaj, u zbulua një parcelë me 768 bimë të dyshuara kanabis. Gjatë ndërhyrjes u arrestua P. M., 53 vjeç, banues në fshatin Ndrejaj, i dyshuar si kultivuesi i parcelës.

Po gjatë kontrollit në afërsi të banesës së tij, efektivët sekuestruan edhe 80 kubikë me fidanë të dyshuar kanabis sativa, të cilët dyshohet se do të përdoreshin për kultivim.

Ndërkohë, në njësinë administrative Kelmend, në fshatin Vukël, u konstatua një tjetër parcelë me 1 250 bimë të dyshuara kanabis sativa. Në afërsi të saj u arrestua në flagrancë A. Ç., 52 vjeç, i akuzuar për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, pasi u konstatua pranë parcelës.

Në vijim të veprimeve hetimore, nisi procedimi penal në gjendje të lirë edhe ndaj K. B., 65 vjeç, me detyrë kryeplak i fshatit Vukël.

Të gjitha bimët dhe fidanët e zbuluar u asgjësuan me anë të djegies, ndërsa materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme.

Lini një koment