Biblioteka Apostolike e Vatikanit hap dyert për publikun, një mundësi e rrallë për të vizituar thesarin e saj historik
VATIKAN, 17 nëntor, ATSH/ Një nga bibliotekat më të vjetra dhe më të pasura në botë, Biblioteka Apostolike e Vatikanit, do të jetë e hapur për publikun për një periudhë të kufizuar, përmes një ekspozite të veçantë.
E themeluar zyrtarisht në vitin 1475 nga Papa Sisto IV, biblioteka ruan një trashëgimi të jashtëzakonshme që përfshin mbi 2.500 vjet histori njerëzore. Fondi i saj përmban rreth 180 mijë dorëshkrime, dokumente arkivore, libra, medalje, monedha, vizatime dhe fotografi, mes tyre edhe i famshmi Codex Vaticanus.
Një prej hapësirave më mbresëlënëse është Saloni Sistin, një sallë monumentale rreth 70 metra e gjatë, e ndërtuar me urdhër të Papa Sisto V mes viteve 1587 dhe 1589. Muret dhe tavanet e saj janë të mbuluara me afreske të realizuara nga artistë të njohur të kohës.
Hapja për vizitorët bëhet në kuadër të ekspozitës “AQVA. Catastrofe e Meraviglia”, e cila trajton marrëdhënien mes elementeve natyrore, fuqisë së tyre krijuese dhe shkatërruese dhe ruajtjes së trashëgimisë së shkruar.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 14 maj 2027.