Sunday, 19 July 2026
54°F Detroit
BallinaKampionati boterorBotërori 2026/ Infantino: Finalja Spanjë–Argjentinë është një dhuratë nga perënditë e futbollit

Botërori 2026/ Infantino: Finalja Spanjë–Argjentinë është një dhuratë nga perënditë e futbollit

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka bërë një deklaratë shumë të bujshme pak para finales së madhe të Botërorit 2026 mes Spanjës dhe Argjentinës, duke e cilësuar turneun e zhvilluar në SHBA, Kanada dhe Meksikë si një ngjarje të paprecedentë në historinë e sportit.

Infantino u shpreh se madhështia e këtij edicioni ka tejkaluar edhe pritshmëritë e tij, duke përdorur fjalë superlative për atmosferën, organizimin dhe ndikimin global të Kupës së Botës.

“Kjo finale është një dhuratë nga perënditë e futbollit. E imagjinoja se do të ishte një event madhështor, por jo në këtë përmasë. Jo me këtë atmosferë, këtë festë dhe këtë energji”, deklaroi kreu i FIFA-s.

Më tej, Infantino shkoi edhe më larg, duke e cilësuar Botërorin e parë me formatin me 48 skuadra si një nga ngjarjet më të mëdha që ka përjetuar bota.

“Ky Botëror në Kanada, Meksikë dhe Shtetet e Bashkuara ka qenë ngjarja më e jashtëzakonshme në historinë e njerëzimit. Jo vetëm Botërori më i madh, por ngjarja më e madhe sportive, sociale dhe kulturore që njerëzimi ka përjetuar ndonjëherë. Mendoj se do të na duhet të shpikim fjalë të reja për ta përshkruar”, shtoi Infantino.

Deklaratat e presidentit të FIFA-s vijnë në prag të finales së shumëpritur në “MetLife Stadium” në New Jersey, ku Spanja dhe Argjentina do të përballen për trofeun më të rëndësishëm të futbollit botëror.

Lini një koment