BRUKSEL – BE paralajmëron për rritjen e kostove të huamarrjes dhe deficiteve buxhetore
BRUKSEL, 24 nëntor /ATSH-DPA/- Komisioni Evropian ka paralajmëruar vendet e eurozonës për kostot e larta të huamarrjes, në një kohë kur deficitet buxhetore dhe normat e interesit janë në rritje, sipas një raporti ekonomik të publikuar sot.
Sipas parashikimeve të Komisionit Evropian, deficiti buxhetor i 21 vendeve, që përdorin euron si monedhë të përbashkët, pritet të arrijë në 3,5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në vitin 2026, përpara se të rritet në 3,6% në vitin 2027 dhe në 3,8% në vitin 2028.
Megjithatë, sipas rregullave të BE-së, vendet e eurozonës, duhet ta mbajnë deficitin buxhetor nën kufirin prej 3% të PBB-së, me disa përjashtime të kufizuara për shpenzimet që lidhen me mbrojtjen dhe energjinë.
Ekzekutivi i BE-së u ka bërë thirrje vendeve të eurozonës, të tregojnë kujdes në administrimin e financave publike dhe të mbajnë nën kontroll deficitet, pasi kostot e shërbimit të borxhit, po rriten si pasojë e normave më të larta të interesit.
“Zbatimi i politikave fiskale të kujdesshme për të mbrojtur stabilitetin ekonomik dhe financiar në një botë të pasigurt është thelbësor”, deklaroi komisioneri evropian për Ekonominë, Valdis Dombrovskis.
Sipas Komisionit Evropian, rritja e deficiteve buxhetore lidhet kryesisht me shtimin e shpenzimeve për mbrojtjen, rritjen e interesave për borxhin publik, si dhe me disa masa të ndërmarra, për të lehtësuar ndikimin e kostove më të larta të energjisë te konsumatorët dhe bizneset.
Përveç uljes së deficiteve, Komisioni u ka kërkuar vendeve të Bashkimit Evropian, të harmonizojnë masat kombëtare për përmirësimin e konkurrueshmërisë dhe produktivitetit, si dhe të investojnë në krijimin e vendeve cilësore të punës, me synim forcimin e ekonomisë.
“Konkurueshmëria dhe fuqia industriale e Evropës, varen nga aftësia jonë për të vepruar së bashku”, deklaroi zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Stéphane Séjourné.
“Duke harmonizuar politikat evropiane dhe ato kombëtare, mund t’i shndërrojmë ambiciet tona industriale, në rezultate konkrete dhe në mirëqenie”, shtoi ai. /