Buxheti 2027, vetëm 1,1 mld lekë më shumë për Bujqësinë, fondet arrijnë në 17,9 mld lekë!
Buxheti i bujqësisë për vitin 2027 do të jetë 17.9 miliardë lekë, me një rritje prej vetëm 1.1 miliardë lekësh krahasuar me një vit më parë.
Ministri i Bujqësisë, Andis Salla, bëri me dije në Komisionin e Bujqësisë se 47% e fondeve do të përqendrohen në katër drejtime kryesore, zhvillimin e qëndrueshëm dhe zonat rurale, sigurinë ushqimore, peshkimin dhe përforcimin e infrastrukturës së kullimit.
Sipas ministrit, buxheti për vitin e ardhshëm përfaqëson një rritje prej 10% krahasuar me vitin 2026, ndërsa edhe mbështetja për fermerët do të jetë 10% më e lartë. Salla bëri të ditur gjithashtu se, përveç fondeve të parashikuara në buxhet, janë siguruar edhe 72 milionë euro nga Banka Botërore për ngritjen e laboratorëve.
Por shifrat e paraqitura nga ministri nuk bindën deputetin e opozitës, Shkurt Lasku. Ai e cilësoi bujqësinë si një sektor të diskriminuar në shpërndarjen e fondeve publike, duke argumentuar se rritja ekonomike e vendit mbështetet kryesisht te shërbimet dhe ndërtimi, ndërsa financimi për bujqësinë mbetet i pamjaftueshëm. Sipas tij, pesha prej 0.02% e financimit është shumë e ulët dhe qeveria duhet të kishte zhvilluar një debat për rritjen e mbështetjes për këtë sektor.
Një tjetër çështje e ngritur gjatë diskutimeve ishte programi IPARD III. Ndryshe nga herët e mëparshme, kur ministri kishte dhënë një afat për çeljen e programit, këtë herë ai nuk përcaktoi një datë konkrete. Salla sqaroi se në shtator të këtij viti është dërguar dokumentacioni i kërkuar dhe se tashmë pritet përgjigjja përfundimtare nga Bashkimi Europian, pasi, sipas tij, janë plotësuar kushtet e nevojshme.
Në përfundim të mbledhjes, pa kërkesa për ndryshime apo shtim të fondeve, anëtarët e Komisionit të Bujqësisë votuan njëzëri në parim projektligjin “Për buxhetin e vitit 2027”.