Champions ngre siparin, objektiv ‘Metropolitano’! Nis sot kompeticioni më i ndjekur i futbollit, të gjithë kundër ‘mbr
Që nga kjo e martë e deri në 5 qershor 2027, tifozët e futbollit do të nisin të ndjejnë sërish emocionet teksa dëgjojnë himnin që nuk ka nevojë për prezantimi.
Nis Faza e Ligës e një Champions League rrugëtimi i së cilës të çon në Metropolitano të Madridit ku do të luhet finalja e madhe.
Aty duan të shkojnë të 36 skuadrat që do të nisin këtë garë të ethshme që sot por vetëm dy do të luajnë aktin final për trofeun me veshë të mëdhenj. Do të jetë Paris Saint Germaini i Luis Enrique ai që do të mbrojë titullin për të dytin vit radhazi dhe janë shumë ekipe që do të kërkojnë që të evitojnë triumfin e tretë radhazi të parizienevë.
Mes tyre janë Barcelona e Hansi Flick që kompanitë e basteve e shohin si favoriten kryesore, përpara pikërisht PSG, Arsenali i Mikel Artetës, Bayerni i Vincent Kompany, Reali i Madridit të Jose Mourinhos, Manchester City i Enzo Maresca apo Liverpool i Andoni Iraola. Por nuk mund të nënvlerësohet as Atletico Madrid i Diego Pablo Simeones që ka një motivim ekstra për t’i shkuar në fund turneut, duke qenë se finalja është caktuar të luhet në shtëpinë e Los Colchoneros.
Por kjo do të jetë Liga e Kampioneve edhe e skuadrave debutuese siç është Como e Cesc Fabregas që mahniti Italinë dhe jo vetëm sezonin e kaluar me paraqitjet e tij duke siguruar këtë kualifikim historik në kompeticionin më të rëndësishëm evropian të kontinentit.
Formati aktuali i Fazës së Ligës që mbush 3 vjeç, lejon të ketë supersfida që nga fillimi deri në fundin e saj pa pasur nevojën për të pritur raundet me eliminim direkt. Këtë e tregon fakti që gjatë Fazës së Ligës, deri në 27 janar janë programuar përplasje titanësh si Real Madrid-Inter që do të luget sonte në mbrëmje, PSG-Barcelona, Barcelona-Manchester City, Arsenal-Real Madrid, Liverpool-Atletico Madrid, Atletico Madrid-Bayern Bayern-Arsenal apo Manchester United-Bayern e Napoli-Arsenal me këtë të fundit që do të transmetohet në Top Channel, e si çdo të mërkurë do të ofrojë ndeshjen më të mirë të ditës në këtë kompeticion.
Në total do të jenë 144 ndeshje që do të luhen gjatë gjithë fazës së Ligës me 36 skuadrat që do të kërkojnë rezultatin më të mirë të mundshëm për të qenë në Top 8 që të kualifikon direkt në fazën e 1/8 të finaleve.
Ndërsa 16 ekipet e tjera do të luajnë në playoff. Liga e Kampioneve ngre siparin sot në mbrëmje, Paris Saint Germaini është ende në fronin e kampionit, mbetet për t’u parë nëse në qershorin e vitit të ardhshëm do të jenë sërish parizienët mbretër të Evropës apo do të abdikojnë për t’ia lënë fronin ndonjë skuadre tjetër.