Costa shkurton me 44 miliardë euro propozimin për buxhetin e BE-së dhe propozon taksë për gjigantët digjitalë
Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, paraqiti të shtunën në mëngjes propozimin e tij të ri për buxhetin afatgjatë të Bashkimit Evropian për periudhën 2028–2034, me shkurtime prej 44 miliardë eurosh krahasuar me propozimin e paraqitur muajin e kaluar nga Irlanda, e cila mban presidencën e radhës të Këshillit të BE-së, siç njofton Politico. “Ky propozim është i përshtatshëm për të përballuar sfidat me të cilat përballen shoqëritë tona dhe i jep Bashkimit Evropian kapacitetin e nevojshëm për të vepruar”, tha Costa të shtunën në mëngjes.
Sipas Politico, shkurtimet llogariten me çmimet aktuale dhe, në total, buxheti i propozuar është 204 miliardë euro, ose 10.2 për qind, më i vogël se propozimi fillestar i Komisionit Evropian i paraqitur në korrik të vitit të kaluar, i cili arrinte në rreth dy trilionë euro. Buxheti afatgjatë duhet të miratohet nga të gjitha qeveritë e vendeve anëtare dhe në fund edhe nga Parlamenti Evropian.
Në një tjetër zhvillim të rëndësishëm, Costa propozoi futjen e një takse të re për kompanitë e mëdha digjitale, si Google dhe Meta, për të ndihmuar financimin e buxhetit në vitet e ardhshme. Sipas Politico, Brukseli kishte hezituar prej vitesh ta vendoste këtë taksë nga frika e hakmarrjes tregtare nga Uashingtoni, por disfata e rëndë e republikanëve në zgjedhjet e mesmandatit në fillim të këtij muaji ka krijuar një hapësirë të re politike për këtë masë, të cilën e mbështet edhe Parlamenti Evropian.
Propozimet e Costës vendosin skenën për diskutime të vështira mes liderëve të 27 vendeve anëtare në samitin e javës së ardhshme në Bruksel. Buxheti afatgjatë i BE-së do të jetë edhe në qendër të seancës plenare të Parlamentit Evropian në Strasburg, ku eurodeputetët do të debatojnë propozimin e kompromisit të Costës të mërkurën, përpara negociatave mes Parlamentit, Këshillit dhe Komisionit.