LONDËR – Pas Brexit-it, Miliband nuk përjashton mundësinë e rikthimit të Britanisë së Madhe në BE
– Sekretari i Jashtëm britanik, Ed Miliband, deklaroi se të gjitha alternativat për marrëdhëniet e ardhshme mes Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Evropian mbeten të hapura, përfshirë edhe mundësinë e rikthimit të vendit në BE.
Deklarata vjen ndërsa kryeministri britanik Andy Burnham, synon të zhvillojë bisedime joformale me Brukselin gjatë 12 muajve të ardhshëm, për të shqyrtuar mundësitë e afrimit të mëtejshëm me BE-në.
Në një intervistë për BBC, Miliband tha se bota ka ndryshuar ndjeshëm që nga referendumi i vitit 2016, kur britanikët votuan për largimin nga Bashkimi Evropian.
Ai theksoi se qeveria do të shqyrtojë përfitimet dhe kostot e të gjitha alternativave, duke nënvizuar se për këtë parlament, do të respektohen vijat e kuqe, të përcaktuara në programin zgjedhor të Partisë Laburiste të vitit 2024.
Këto përjashtojnë rikthimin në tregun e përbashkët, bashkimin doganor dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve.
Ndërkohë, marrëveshjet e arritura dje mes Londrës dhe Brukselit përfshijnë tri fusha kryesore:
- Tregtia ushqimore: Nga 1 marsi 2028 do të hiqen shumica e kontrolleve dhe kufizimeve pas Brexit-it për produktet ushqimore dhe bujqësore.
- Emetimet e karbonit: Marrëveshja për sistemet e tregtimit të emetimeve, që do të zbatohet nga fillimi i vitit 2028, do të përjashtojë rreth 6,5 miliardë paund eksporte britanike, përfshirë çelikun dhe aluminin, nga taksat kufitare të BE-së për karbonin.
- Lëvizja e të rinjve: Një skemë e re do t’u mundësojë qytetarëve britanikë dhe atyre të BE-së, të moshës 18–31 vjeç, të jetojnë dhe punojnë në territoret e njëri-tjetrit deri në tre vjet. Parashikohen 100 mijë viza në vit.
Sipas dokumenteve të qeverisë britanike, të rinjtë e parë pritet të përfitojnë nga kjo skemë jo më vonë se janari 2030.
Një çështje ende e pazgjidhur, mbetet tarifa e studimeve universitare për studentët e BE-së në universitetet britanike.
Brukseli kërkon që ata të paguajnë të njëjtat tarifa si studentët britanikë, duke i ulur ato nga deri në 38 mijë paund në vit në rreth 9 970 paund.
Qeveria britanike ka shprehur rezerva për shkak të ndikimit financiar që kjo mund të ketë te universitetet.
Sipas vlerësimeve të Universitetit të Mançesterit, një ndryshim i tillë mund t’i kushtojë sektorit të arsimit të lartë rreth 500 milionë paund në vit.
Megjithatë, Miliband siguroi se tri marrëveshjet e arritura do të zbatohen sipas afateve të përcaktuara, duke sqaruar se çështja e tarifave universitare është një negociatë më vete.
Qeveria britanike vlerëson se marrëveshjet e reja me BE-në, mund të rrisin Prodhimin e Brendshëm Bruto me 0,5% deri në vitin 2040, duke i sjellë ekonomisë rreth 17 miliardë paund shtesë. /