E shtunë, 21 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›GJENEVË – OKB: Dështon nisma për ndalimin ligjor të armëve autonome që vrasin pa ndërhyrjen njerëzore

GJENEVË – OKB: Dështon nisma për ndalimin ligjor të armëve autonome që vrasin pa ndërhyrjen njerëzore

GJENEVË, 21 nëntor /ATSH-DPA/ – Bisedimet ndërkombëtare për vendosjen e kufizimeve ndaj zhvillimit të armëve plotësisht autonome, të njohura edhe si “robotë vrasës”, kanë përfunduar pa një marrëveshje konkrete.

Përfaqësuesit e vendeve pjesëmarrëse nuk arritën të miratojnë një mandat për nisjen e negociatave mbi një traktat ligjërisht të detyrueshëm, që do të ndalonte këto armë.

Në konferencën e zhvilluar në Gjenevë, ku morën pjesë 128 shtetet, palë të Konventës së Kombeve të Bashkuara për Armët Konvencionale, delegacionet nuk gjetën konsensus për hapat e mëtejshëm.

Pothuajse 100 vende kanë kërkuar ndalimin e armëve, që mund të përzgjedhin dhe të godasin objektiva pa një vendim përfundimtar nga njeriu.

Megjithatë, disa shtete, mes tyre SHBA-ja, Izraeli, Bjellorusia dhe Britania e Madhe, kundërshtuan dhënien e një mandati për nisjen e negociatave.

Organizatat që bëjnë fushatë kundër armëve autonome, e cilësuan rezultatin zhgënjyes, duke e konsideruar atë një marrëveshje minimale që nuk ofron garancitë e nevojshme.

Gjatë takimit pati gjithashtu, përplasje lidhur me agjendën e konferencës dhe të drejtën e organizatave dhe vëzhguesve për të marrë fjalën.

Rusia kundërshtoi agjendën e propozuar dhe kërkoi kufizime për pjesëmarrjen e Bashkimit Evropian dhe të vëzhguesve të tjerë, duke e vështirësuar arritjen e një marrëveshjeje.

Në përfundim, vendet ranë dakord që ekspertët qeveritarë, të vazhdojnë diskutimet dhe të paraqesin rekomandime deri në vitin 2028, lidhur me mundësinë e ndërmarrjes së hapave të mëtejshëm, përfshirë hartimin e një instrumenti ligjor ndërkombëtar.

Armët plotësisht autonome janë sisteme ushtarake që mund të identifikojnë, përzgjedhin dhe sulmojnë objektiva pa ndërhyrjen e drejtpërdrejtë njerëzore, në vendimin përfundimtar për përdorimin e forcës vdekjeprurëse.

Kritikët paralajmërojnë se përdorimi i këtyre sistemeve, ngre shqetësime serioze etike dhe ligjore, veçanërisht për përgjegjësinë në rast të vrasjes së civilëve. /

Lini një koment