Komisioni Disiplinor shqipton dënimet për të ‘padisiplinuarit’
Komisioni Disiplinor dhe i Etikës i Federatës së Futbollit të Kosovës ka marrë vendime ndëshkuese ndaj nëntë futbollistëve dhe zyrtarëve të klubeve, siç njofton Futbolli.info, pas shqyrtimit të rasteve të evidentuara në ndeshjet e fundit të garave vendore.
Vendimet u morën në mbledhjen e mbajtur më 24 nëntor, ku Komisioni shqyrtoi raportet e zyrtarëve të ndeshjeve dhe incizimet televizive. Shqyrtimi u bë pas përfundimit të xhiros së 14-të të Albi Mall Superligës, xhiros së 17-të të Raiffeisen Ligës së Parë, si dhe ndeshjeve të ligave të tjera.
Me nga dy ndeshje moslojë kampionale u ndëshkuan tre futbollistë, të cilët u përjashtuan me kartonë të kuq direkt si lojtarë të fundit. Bëhet fjalë për Erion Idrizin e Drenicës, Egzon Sinanin e Dukagjinit dhe Jetart Kastratin e Kikës.
Po me nga dy ndeshje u dënuan edhe Bleron Hashani i KEK-ut dhe portieri Anik Luri i Dinamos. Në të dyja rastet, masa disiplinore u shqiptua për sjellje josportive.
Dënime u shqiptuan edhe për zyrtarët e klubeve. Drejtori sportiv i Fushë Kosovës, Arton Rushiti, u ndëshkua me dy ndeshje mosushtrim të detyrës zyrtare për reagime josportive. Me të njëjtën masë u dënuan edhe trajneri i Pejës, Fisnik Gashi, dhe trajneri i Trepçës ’89, Lavdim Behxheti, për ofendime ndaj gjyqtarëve.
Lista e të ndëshkuarve plotësohet me Lenti Dervishin e Feronikelit 74, i cili mori dy ndeshje moslojë kampionale. Ai u ndëshkua me karton të kuq për ndërhyrje si lojtar i fundit në ndeshjen e Ligës së Parë U19.