Tuesday, 28 July 2026
54°F Detroit
BallinaKosovaDeputetët e opozitës do të jenë në seancën e 6 gushtit , por jo të gjithë mbështesin Haxhiun

Deputetët e opozitës do të jenë në seancën e 6 gushtit , por jo të gjithë mbështesin Haxhiun

Deputetët e zgjedhur të Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në seancën konstituive të 6 gushtit, por derisa nga partia e tretë, Aleanca thonë se nuk do ta votojnë Albulena Haxhiun për kryekuvendare, qëndrim të prerë për këtë çështje nuk kanë PDK dhe LDK.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu për Radio Dukagjini konfirmoi se në seancën e 6 gushtit do të jenë në sallën e Kuvendit, por theksoi se vendimin se a do ta voton Haxhiun për kryetare të Kuvendit do ta diskutojnë në parti.

“ Po do të jemi në seancë, do të takohemi si parti do t’i diskutojmë detajet, nuk kemi qëndrim aktualisht”, deklaroi ajo.

Edhe të zgjedhur e popullit nga LDK do të marrin pjesë në seancën konstituive të 6 gushtit, e vendimin për Haxhiun e lidhin me zhvillimet pas Kuvendit të Jashtëzakonshëm të kësaj partie i cili do të mbahet më 30 korrik.

Por, deputeti, Ermal Sadiku thotë se si parti gjithmonë kanë punuar në mbrojtje të institucioneve dhe shtetit.

“Varësisht se çka ndodh në Kuvend definohen edhe plotë gjëra të tjera. Si LDK ne gjithmonë kemi qenë për t’i mbrojtur institucionet dhe me mbrojtur shtetin nuk po më duket se ka me qenë diçka problematike” ,theksoi Sadiku për Radio Dukagjinin.

Prezent në seancën konstituive do të jenë edhe deputetët e Aleancës thotë Time Kadrijaj, por ajo shprehet se nuk do ta votojnë Albulena Haxhiu për pozitën e kryetares së Kuvendit të Kosovës.

“Kemi parashtruar kushtet tona derisa nuk plotësohen kushtet tona ne nuk do të votojmë asgjë“, theksoi ajo.

Zëvendëskryeministri në detyrë, Glauk Konjufca ka paralajmëruar se Albulena Haxhiu do të jetë kandidate e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit të Kosovës.

Lini një koment