Diskutimet për reformën territoriale, PD braktis Komisionin e Ligjeve pas përplasjes me mazhorancën
Diskutimet në parim për reformën territoriale janë shoqëruar me debate dhe përplasje të forta politike mes mazhorancës dhe opozitës në Komisionin e Ligjeve.
Pas përplasjes në mbledhje, deputetët e Partisë Demokratike kanë braktisur komisionin, duke kundërshtuar vijimin e diskutimeve për projektligjin.
Shkak për largimin e opozitës u bë mospranimi nga kryetari i Komisionit, Ulsi Manja, i kërkesës së PD-së për të hedhur në votim propozimin për kthimin e projektligjit te kryetari i Kuvendit, me argumentin se gjatë procedurës janë konstatuar shkelje të të parashikimeve kushtetuese.
“Unë kërkoj që ky komision të votojë tani që t’ia çojmë këtë projektligj kryetarit të kuvendit që t’ia kthejë nismëtarëve pr.ligjin. Të lutem hidhe në votim”, tha deputeti demokrat Oerd Bylykbashi.
Nga ana tjetër, Manja kërkoi vijimin e shqyrtimit të projektligjit, duke e lidhur situatën me debatin e zhvilluar në komision pas masës së vendosur ndaj kreut të SHISH, Vlora Hyseni.
“Të vazhdojnë përpara. Rasti i Vlora Hysenit, funksionim i shtetit ligjor. PD po hedh baltë dhe gurë mbi drejtësinë. T’i japim gjithë suportin që drejtësia të bëjë punën e vet dhe politika punën e saj”, deklaroi Manja.
Përplasjet mes palëve vijuan gjatë mbledhjes, ndërsa Komisioni i Ligjeve vijoi procedurën për diskutimin në parim të reformës territoriale.