E shtunë, 28 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Dita e Pavarësisë, Peleshi: Në shqiponjë jehojnë zërat e brezave që luftuan për liri, të ecim përpara me dinjitet e krenari si shqiptarë

Dita e Pavarësisë, Peleshi: Në shqiponjë jehojnë zërat e brezave që luftuan për liri, të ecim përpara me dinjitet e krenari si shqiptarë

Më 28 nëntor 1912, në Vlorë, Ismail Qemali, së bashku me përfaqësues nga trevat shqiptare, shpalli Pavarësinë, duke shënuar një moment historik në rrugëtimin e kombit shqiptar dhe themelimin e shtetit të pavarur.

Me rastin e kësaj date të rëndësishme, urimet për shqiptarët i është bashkuar edhe kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Peleshi ka ndarë imazhin e një shqiponje të punuar në xham, të cilën e cilëson si simbol të rrënjëve, historisë, sakrificës dhe krenarisë kombëtare.

Në mesazhin e tij, kryetari i Kuvendit thekson se në këtë simbol jehojnë zërat e brezave që luftuan për liri, ndërsa kujtesa historike dhe vlerat kombëtare mbeten ato që bashkojnë shqiptarët.

Peleshi ka shprehur gjithashtu mirënjohjen për mjeshtrin Vasil Dhiamandi, i cili përmes talentit dhe duarve të tij i jep jetë simboleve që përcjellin historinë dhe shpirtin kombëtar.

“Një shqiponjë në xham, por me gjithë shpirtin e Shqipërisë brenda saj.

Një simbol i rrënjëve tona, që mbart histori, sakrificë dhe krenari. Në të jehojnë zërat e brezave që luftuan për liri dhe jeton kujtesa e asaj që na bashkon, na bën të ndihemi një dhe të ecim përpara me dinjitet e krenari si shqiptarë.

Me zemrën plot, Gëzuar Ditën e Pavarësisë!

Mirënjohje për mjeshtrin Vasil Dhiamandi, që përmes talentit dhe duarve të tij i jep jetë simboleve që mbartin historinë dhe shpirtin tonë kombëtar”, shkruan Peleshi.

Lini një koment