Ekzekutimi në Sarandë, policia jep njoftimin: Do ngrihet grup i posaçëm për gjendjen kriminale në qytet
Pas atentatit të ndodhur më 20 shtator në Sarandë, ku mbeti i vrarë 44-vjeçari Artan Myrtaj, Policia e Shtetit ka ndërmarrë një sërë masash, duke ngritur një grup të posaçëm me ekspertë të strukturave qendrore për rivlerësimin e situatës kriminale në qytet.
Sipas njoftimit zyrtar, vendimi u mor pas analizës së zhvilluar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit me drejtuesit e Komisariatit të Policisë Sarandë.
Grupi i posaçëm përbëhet nga ekspertë të Departamentit të Policisë Kriminale dhe Departamentit të Sigurisë Publike, të cilët do të kryejnë një analizë të thelluar të situatës kriminale në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë dhe strukturat hetimore të Komisariatit të Sarandës.
Njëkohësisht, Policia ka nisur rivlerësimin e performancës së gjithë zinxhirit drejtues të komisariatit, si dhe të efektivëve të rolit bazë dhe atyre me funksione drejtuese. Sipas institucionit, në varësi të rezultateve të këtij procesi do të merren edhe masat përkatëse.
Në planin organizativ, po punohet edhe për krijimin e strukturave të specializuara për hetimin e krimeve të rënda dhe luftën kundër krimit të organizuar, të cilat do të pajisen me mbështetjen e nevojshme logjistike.
Sa i përket hetimit të atentatit, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet intensive në koordinim me shërbimet operacionale të Policisë në terren.
Policia e Shtetit deklaron se mbetet e angazhuar për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin e autorëve dhe forcimin e sigurisë në Sarandë.