Monday, 21 September 2026
54°F Detroit
BallinaLajme nga ShqiperiaTabaku ankesa para përfaqësuesve të BE: Opozita s’ka hapësirë për kontroll parlamentar, reformat po kryhen në mënyrë

Tabaku ankesa para përfaqësuesve të BE: Opozita s’ka hapësirë për kontroll parlamentar, reformat po kryhen në mënyrë

Deputetja e Partisë Demokratike dhe kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, Jorida Tabaku, ka akuzuar sot (21 shtator) se procesi i integrimit europian po shoqërohet me mungesë hapësire për opozitën në parlament dhe me reforma të njëanshme nga qeveria.

Gjatë punimeve të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit (KPSA) BE–Shqipëri që po mbahet në Tiranë, Tabaku tha se pozicionet negociuese të Shqipërisë nuk mund të mbeten thjesht deklarata politike, por duhet të shoqërohen me kontroll parlamentar dhe përfshirje të opozitës.

Tabaku solli si shembull refuzimin e kërkesës së opozitës për komision hetimor mbi KAYO, duke e cilësuar si një rast tjetër ku opozitës i mohohet e drejta kushtetuese.

Deputetja kritikoi gjithashtu edhe reformat reformën zgjedhore dhe reformën territoriale, të cilat sipas saj po kryhen në mënyrë të njëanshme dhe pa konsultim.

“Ka të paktën 17 ligje që ne si opozitë kemi ngritur shqetësimin pranë institucioneve europiane. Ligji për investimet strategjike. Ligji për zonat e mbrojtura, ligji për paketën e maleve dhe shumë të tjera që PE i ka përmendur në rezolutën e tij, por rezolutat e PE duhet të kthehen në plane pune për Shqipërinë. Pozicionet negociuese të Shqipërisë nuk janë deklarata politike. Elementi që procesi i integrimit mundet të përfshijë më shumë parlamentin lidhet edhe me kontrollin parlamentar, me hapësirën që ka opozita atje dhe reformat që janë të nevojshëm të bëhen gjithëpërfshirëse. Rasti i fundit, ditën e enjte kërkesa për komision hetimor për KAYO u refuzua. Nuk është rasti i parë ku hapësira e opozitës për komisione hetimore parlamentare refuzohet. Të dyja reformat që janë duke u ndërmarrë, ajo për zgjedhjet me rekomandimet e OSBE-ODIHR dhe reforma territoriale duket se janë të njëanshme. Parlamenti i Shqipërisë ka miratuar një kalendar për një reformë të njëanshme territoriale nga ana e qeverisë. Reformë që kryhet pa konsultim dhe që përqendron pushtetin në pak duar. Shpresoj që kjo hapësirë e munguar gjatë viteve të shkuara të jetë e shkuar dhe opozita të ushtrojë të drejtat e saj kushtetuese, hapësirën parlamentare, përfshirjen dhe reformat konsensuale të nevojshëm për procesin e integrimit”, tha Tabaku.

Lini një koment