“Fabrika” e drogës në Shkodër, procedohen penalisht 5 punonjës të OSHEE-së
Pesë punonjës të OSHEE-së në Shkodër janë proceduar penalisht për “Shpërdorim detyre”.
Hetimet vijnë pas zbulimit të dy ambienteve nëntokësore në fshatin Ganjollë, ku ishte përshtatur një strukturë për kultivimin e bimëve narkotike dhe përpunimin e saj.
Kujtojmë se ditën e djeshme u zbulua një ambient nëntokësor, i përshtatur për kultivimin dhe përpunimin e kanabisit.
Në pranga ranë 10 persona, njëri prej të cilëve ishte shpallur në kërkim nga policia.
Gjatë kontrolleve në dy objekte në zonën e njohur si “Kanali i Drinit”, efektivët zbuluan në një magazinë një hyrje të kamufluar që të çonte në një ambient nëntokësor, siç mund ta shihni në pamjet e mëposhtme: Hapësira ishte e ndarë në dy pjesë: njëra ishte përshtatur për kultivimin e kanabisit me llamba, ndërsa tjetra përdorej për përpunimin e lëndës narkotike.
Gjatë operacionit u arrestuan 10 persona, të moshave 18 deri në 61 vjeç, banues në Gjirokastër, Cërrik, Tiranë, Poliçan, Ishull-Lezhë dhe Mirditë.
Nga verifikimet rezultoi se njëri prej të arrestuarve, 46 vjeç, ishte shpallur më parë në kërkim nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër. Gjatë kontrolleve, policia sekuestroi rreth 2 600 bimë kanabisi të kultivuara në vazo, si dhe 170 kilogramë lëndë narkotike të përpunuar, të vendosur në 10 thasë plastikë.