Festë dhe protestë, Tirana blindohet nga frika e përleshjeve, zbulohet ku do të jetë sot Rama
Në Tiranë është lajmëruar sot (Dita e Pavarësisë) një protestë kombëtare në vazhdën e revoltës së nisur më 31 maj të këtij viti. Prej asaj date vendi është përfshirë në protesta që gjatë tetorit sollën edhe skena dhune dhe përleshje mes studentëve dhe policisë.
Më shumë se 2000 efektivë të policisë, edhe repartet speciale, do të jenë në terren për të ruajtur sigurinë në kryeqytet, ndërsa këtë mëngjes autobotet ujëhedhëse të forcave të rendit janë veshur me flamurin kuqezi. Protestuesit kanë njoftuar se grumbullimi do të fillojë prej orës 10:00.
Edhe në qytetin e Vlorës, qindra efektivë, përfshirë edhe forcat speciale, janë angazhuar në një plan të shtuar masash sigurie, në kuadër të festimeve për 28 Nëntorin.
Dhjetëra furgonë policie dhe efektivë janë pozicionuar në çdo kryqëzim, përgjatë gjithë aksit rrugor nga hyrja e qytetit deri në Sheshin e Flamurit, ku pritet të zhvillohet ceremonia zyrtare.
Masat e shtuara vijnë në prag të nisjes së aktiviteteve festive, ku pritet të jenë të pranishëm krerët më të lartë të shtetit shqiptar, përfshi presidentin Begaj dhe kryeministrin Rama, si edhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme.
Në terren ndodhet edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, i cili po ndjek nga afër organizimin dhe menaxhimin e masave të sigurisë në Sheshin e Flamurit.
Policia ka marrë në kontroll pikat kryesore të qytetit, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë ceremonive të 28 Nëntorit në Vlorë.