E martë, 3 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›FOKUS – BM dhe Franca testojnë gatishmërinë e forcës shumëkombëshe për Ukrainën

FOKUS – BM dhe Franca testojnë gatishmërinë e forcës shumëkombëshe për Ukrainën

VARSHAVË, 3 nëntor /ATSH-AFP/- Rreth 2 800 ushtarakë nga 10 vende evropiane do të zhvillojnë nga 9 deri më 22 nëntor në Poloni manovrat e para të forcës së re shumëkombëshe në mbështetje të Ukrainës.

Forca Shumëkombëshe për Ukrainën (MNF-U), e drejtuar nga Franca dhe Britania e Madhe, nuk ka mision ofensiv dhe do të dislokohet vetëm pasi të arrihet një marrëveshje armëpushimi për t’i dhënë fund luftës së nisur nga pushtimi rus në vitin 2022.

E krijuar në vitin 2025, ajo ka një shtab operacional në Paris dhe nuk është pjesë e një operacioni të NATO-s.

Misioni i kësaj force është të mbështesë ushtrinë ukrainase, të garantojë sigurinë në hapësirën ajrore të vendit dhe të mundësojë rifillimin e aktivitetit ekonomik në Detin e Zi.

Manovrat,të pagëzuar “Koalicja” (Koalicioni në polonisht), do të zhvillohen në një kohë kur luftimet vazhdojnë dhe perspektivat për një armëpushim të shpejtë mbeten të paqarta.

Ministri britanik i Mbrojtjes, Wes Streeting, deklaroi se nuk bëhet fjalë për një plan hipotetik, por për një forcë reale, e cila do të jetë e gatshme të ndihmojë Ukrainën sapo të përfundojnë luftimet.

Në stërvitje do të marrin pjesë Belgjika, Estonia, Gjermania, Franca, Lituania, Holanda, Polonia, Spanja, Suedia dhe Britania e Madhe.

Operacionet ajrore dhe tokësore do të zhvillohen pranë qytetit Nowa Deba, rreth 100 kilometra nga kufiri ukrainas.

Franca do të kontribuojë me 1 100 ushtarakë, ndërsa Britania e Madhe me 300 trupa, përfshirë pjesëtarë të Brigadës së 7-të “Desert Rats” dhe avionë luftarakë “Typhoon”.

Ndërkohë, Turqia do të organizojë një simulim detar për përgatitjen e operacioneve të mundshme të çminimit në Detin e Zi, pa marrë pjesë në stërvitjen tokësore në Poloni. /Ad.Ab./ a.jor.

Lini një koment