FOKUS – Rriten çmimet e naftës dhe gazit, tregjet përballen me pasiguri të reja
– Tregjet financiare në botë, shfaqën sot shenja qetësimi, pasi aksionet e kompanive të teknologjisë pësuan rënie të forta, të nxitura nga shqetësimet për kostot e larta të investimeve në inteligjencën artificiale (IA), raportoi “Reuters”.
Ndërkohë, çmimet e naftës vazhduan të rriten, duke arritur nivelin më të lartë në pesë muaj, për shkak të tensioneve në Lindjen e Mesme.
Çmimi i naftës “Brent” arriti në 114 dollarë për fuçi, pasi sulmet e rebelëve Houthi ndaj Arabisë Saudite dhe raportimet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli, kanë hartuar plane për sulme të reja ndaj Iranit, pas zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA, rritën shqetësimet për furnizimin me naftë.
Edhe çmimi i gazit natyror në Evropë, u rrit sot me 4%, duke shënuar një rritje prej afro 30% që nga fillimi i muajit.
“Sigurisht, tregu është i shqetësuar”, tha Kit Juckes, përgjegjës për strategjinë valutore në bankën franceze “Société Générale”.
Sipas tij, çmimi i naftës po vazhdon të rritet, ndërsa tregu i teknologjisë po përjeton një korrigjim pas rritjes së madhe të mëparshme.
Rënie e fortë e aksioneve të teknologjisë
Shqetësimet për shumën e madhe të parave, që nevojiten për zhvillimin e inteligjencës artificiale kanë goditur tregjet e aksioneve, veçanërisht kompanitë e teknologjisë në SHBA.
Indeksi “Nasdaq”, ku përfshihen shumë kompani të teknologjisë, pësoi dje rënien më të madhe ditore që nga qershori, duke humbur 2,6%.
Ndërkohë, indeksi i kompanive amerikane që prodhojnë gjysmëpërçues, thelbësore për pajisjet elektronike dhe sistemet e inteligjencës artificiale, ra me afro 7%.
Aksionet e kompanisë “Meta” ranë me gati 8%, ndërsa vlera e aksioneve të “CoreWeave”, një kompani që ofron kapacitete kompjuterike për inteligjencën artificiale, ra me 10%, duke arritur nivelin më të ulët që nga maji 2025.
Kontratat që tregojnë se si pritet të lëvizin indekset e bursave amerikane, vijuan sot të shënonin rënie të lehta.
Kontratat për indeksin “Nasdaq”-un ranë me 0,1%, ndërsa ato për indeksin “S&P” 500 me 0,2%.
Megjithatë, rënia e aksioneve të teknologjisë u zbut në disa tregje aziatike dhe evropiane.
Në Japoni, indeksi “Nikkei” ra sot me 0,3%, duke e mbyllur javën me një humbje prej më shumë se 4%.
Në Korenë e Jugut, indeksi “Kospi” e mbylli ditën në rritje, pasi gjatë orëve të para të tregtimit kishte rënë deri në 4%.
Në Kinën kontinentale, indeksi “CSI300” u rrit me 1,7%, ndërsa në Hong Kong indeksi “Hang Seng” shënoi rritje me 0,7%, pas rënies prej 3% një ditë më parë.
Diana Mousina, zëvendëskryeekonomiste në kompaninë AMP, tha se ishte ende herët për të parashikuar një rënie të përgjithshme të tregjeve të aksioneve, pasi fitimet e kompanive vijojnë të rriten dhe të dhënat ekonomike mbeten relativisht të qëndrueshme.
Sipas saj, investimet në inteligjencën artificiale nuk kanë përfunduar, por tregu po ndryshon.
Investitorët nuk mund të blejnë më pa dallim, aksione të çdo kompanie që lidhet me këtë teknologji, pa vlerësuar më parë mundësitë dhe rreziqet. /